Jakup Krasniqi: Të jetosh në lule të xhenetit
Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se të gjithë ata që taksën 100 për qind e shohin pengesë për gjëja një marrëveshje të pretenduar me Serbinë “JANË NË LULE TË XHENETIT”!. Ai ka kërkuar nga ata që sipas tij po thirren në vlera demokratike që të tregojnë pse nuk u arrit marrëveshja kaq shumë e dëshiruar me Serbinë para nëntorit të vitit 2018.
“Ju takon sidomos atyre që thirren në vlera demokratike, që të bëhen burra ose burrnesha e le të na tregojnë: Pse marrëveshja që kaq shumë po e dëshirojnë në mes Kosovës e Serbisë nuk e arritën para nëntorit të vitit 2018? Nuk ka dyshim, taksën e kanë si pretekst, po cilët ishin pretekstet para taksës?”, ka thënë Krasniqi, transmeton FaktePlus.
Krasniqi ka pasur edhe disa pyetje për krerët e Bashkimit Evropian.
“Dëgjoni e lexoni, kuptohet nëse keni sy për të parë e veshë për të dëgjuar se çka na përrallisin disa herë brenda një dite çinovniket e lartë të Serbisë për Kosovën e shqiptarët? Kërcënimet që i bëjnë edhe tani janë po të njëjtës natyrë si ato të viteve të luftës kur ia patën vu zjarrin Kosovës! Pra, se çka mendojnë ata kriminel e kemi parë sidomos në vitet 1998 dhe 1999. Ketë askush nuk po e thotë! Nuk po shkojmë më larg në histori se bëhet tepër, por as sot nuk mendojnë ndryshe për shqiptarët e Kosovës. A e dinë ata në BE, pse ishte formuar Tribunali i Hagës për krimet në ish Jugosllavinë? Nëse kanë harruar, shqetësohem për ata që e kanë kujtesën e shkurtër! Në Kosovë ka shumë njerëz në politikë me kujtesë shkurtër. Besonim se në BE njerëzit mendojnë ndryshe!”, ka thënë ai.
Ish kreu i legjislativit ka shtuar se të gjithë e dinë se, taksa nuk ishte aty nga viti 2011 e krejt deri në fund të vitit 2018 kur janë zhvilluar Bisedimet e Brukselit dhe nuk u arrit asnjë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi!
“Nuk me habisin shumë ata të jashtmit, pasi ata në fund të fundit nuk janë prekur nga krimi e gjenocidi që e jetuam në Kosovë, por me habisin këta tanët, që kurrë nuk qenë të zotet që ta “trembin macen nga përsheshi” dhe i pengon taksa! Bile po me vije goxha keq pse janë bërë kaq shumë këta të fundit! Madje fare pa u skuqur po defilojnë nga një ekran televiziv në tjetrin?! Qyqarë, Bota gjithherë ka pasur, por edhe tash po vazhdon t’i ketë me bollëk! Pa dyshim, njerëzit me integritet, dije e dinjitet gjithnjë e kudo kanë qenë në pakicë, si dje ashtu edhe sot nuk ka ndonjë ndryshim në substancë!”, është shprehur Krasniqi.
Krasniqi me tutje ka thënë se ishte një kohë që ATA të paktet, që kishin integritet e vizion ndiqeshin nga shumica! Tani është koha e zhurmërisë se shumicës!
“Prej atyre që jetonin e jetojnë në “lule të xhenetit” me zhurmëri, nuk e pres ditën e selametit!”, u shpreh ai. /FaktePlus