Ja sa para shpenzuan komunat për zbukurimet e festave të fundvitit
Prej javësh shumica e komunave të vendit kanë filluar përgatitjet për festat e fundvitit. Disa janë treguar më të shpejta e kanë përfunduar me zbukurimet, e disa të tjera po presin ditët e ardhshme për të filluar me zbukurime. Por, që të gjitha kanë ndarë mjete për këtë qëllim. Disa tregojnë për paratë e ndara, e disa po e mbajnë ende të fshehur. Nga publikimet e deritashme shihet se Prishtina ka dhënë më së shumti para për dekor, mbi 63 mijë euro.
Jemi në muajin e fundit të vitit apo në muajin e festave dhe tashmë të gjithë veçse kemi filluar ta ndjejmë atmosferën festive.
Jo për të gjithë 2019 ishte vit i mundësive të mira, por të gjithë patën ose kanë diçka për të festuar. E për të përfunduar dhe për t’i dhënë më shumë jetë vitit që po vjen padyshim nevojiten pak më shumë ngjyra dhe dekorime që krijojnë një atmosferë të ngrohtë për të gjithë.
Traditës së dekorimit në Kosovë, tashmë i janë bashkuar edhe institucionet e vendit. Komunat tashmë janë në një lloj “gare” se cila po e bën më atraktive sheshin për qytetarët e saj.
E për këto dekorime mijëra euro jepen nga thuajse secila komunë për të dekoruar qendrat.
Prishtina
Vetëm për dekorimin e kryeqytetit janë dhënë mbi 63 mijë euro, kanë thënë për FaktePlus nga Komuna e Prishtinës, e cila udhëhiqet nga Shpend Ahmeti.
Në kontratën e Komunës së Prishtinës jepen detajet për zbukurimet. Aty tregohet se 190 mijë euro kjo komunë ka nënshkruar kontratën për 36 muaj (3 vjet) me ndërmarrjen private “Anea”, duke potencuar se devijimi 30% +\- është i lejuar.
Në këtë kontratë për zbukurime përfshihet edhe përcaktimi dhe gjatësia e bredhit që duhet të jetë deri në 10 metra, ngjyrat e dritave dekoruese janë përcaktuar të kuqe dhe të bardhë, si dhe është përcaktuar edhe mirëmbajtja e këtyre dekorimeve.
Fushë Kosova
Edhe Komuna e Fushë Kosovës, e cila udhëhiqet nga Burim Berisha i LDK-së, ka planifikuar të shpenzojë mijëra euro për zbukurimin e qytetit për festat e fundviti.
Nga kjo komunë bëjnë me dije se është operatori ekonomik NSH “M.V.R Elektromontues” nga Prishtina që e ka fituar tenderin për dekorimin dhe zbukurimin e qytetit të Fushë Kosovës. Vlera totale e ofertës së kësaj kompanie për zbukurimet ishte 7 mijë e 960 euro.
Kurse aplikuan edhe kompania “Global Marketing” LL.C nga Prishtina e cila në tender kërkoi 9 mijë e 819 euro dhe Shpk “ETM Group” nga Fushë Kosova që aplikoi me 8 mijë e 830 euro.
Podujeva
E komuna e Podujevës Komuna e Podujevës, e cila udhëhiqet nga Agim Veliu i LDK-së, ka planifikuar të shpenzojë afër 10 mijë euro për zbukurimin e qytetit për festat e fundvitit.
Kontratën për dekorim të qytetit e ka fituar operatori ekonomik, respektivisht Ndërmarrja Private Tregtare “Anea” nga Fushë Kosova.
Gjithë zbukurimin kjo kompani është pajtuar ta kryej për 9 mijë e 788 euro, dhe ishte e vetmja kompani e cila kishte aplikuar në këtë tender.
Rahoveci
Kurse Komuna e Rahovecit, për arsye të mungesës së të interesuarve në tenderin për dekorim të qytetit, ka filluar sot zbukurimin e saj për të cilën janë ndarë 6.990.00 euro, ndërsa tenderin e ka fituar ‘’Gzimi- Garten-Und Landschaftsbau’’.
“Dekorimi i qytetit pritet të fillojë sot, menjëherë pas nënshkrimit të kontratës me operatorin ekonomik. Për këtë qëllim Komuna ka ndarë 6,990.00 euro, kurse tenderin për dekorimin e qytetit e ka fituar kompania ‘’Gzimi- Garten-Und Landschaftsbau’’ SH.P.K. me adresë në Rahovec. Dekorimi po fillon sot për shkak që nuk ka pasur aplikant në tender dhe jemi detyruar të rishpallim tenderin për dekorim”.
Gjithashtu nga kjo komunë tregojnë edhe detajet se çka është i përfshirë në dekorim, duke treguar se këtu përfshihet edhe largimi i dekorimeve në periudhën e caktuar.
Mitrovica
Edhe Komuna e Mitrovicës gjithashtu ka ndarë para për dekorimin e qytetit. Por nga kjo komunë janë dhënë vetëm 2 mijë euro, ndërsa kompania që ka fituar tenderin për dekorimin e qytetit është kompania “ADLIBIDUM”, dhe është e njejta kompani e cila për tri vite me rresht e ka stolisur qytetin.
Prizreni
E kjo atmosferë festive nuk do të jetë në të gjitha qytetet e Kosovës. Ndër to është edhe Komuna e Prizrenit, e cila ka ndarë 30 mijë euro për dekorimin e qytetit, por një gjë e tillë nuk do të bëhet.
Kjo pasi gjatë procedurave tenderuese operatorët ekonomikë kanë bërë gabime të patejkalueshme dhe rrjedhimisht Komuna është obliguar që ta bëjë anulimin e tenderit. Po ashtu edhe për shkak të ndarjes së mjeteve për të ardhurit nga Shqipëria që u prekën nga tërmeti shkatërrues.
Ndërsa dekorimi i qytetit do të ndodhë në bashkëpunim me bizneset të cilat operojnë në Prizren.
“Fatkeqësisht këtë vit nuk do të ketë dekorim të tenderuar nga Komuna e Prizrenit dhe mjetet të cilët janë paraparë nga ky kod buxhetor do të përdoren për shpenzimet të cilat i kanë dalë të paplanifikuara Komunës së Prizrenit, për shkak të strehimit të qytetarëve të prekur nga tërmeti në Shqipëri”, kanë thënë nga komuna për FaktePlus.
Ferizaj
Sikurse kryeqyteti edhe Komuna e Ferizajt për stolisjen e qytetit ka hartuar një Kontratë Publike Kornizë për 36 muaj. Sipas kontratës shuma e kontraktuar është 34 mijë e 224 euro.
Zyrtari për Marrëdhënie me Publikun nga Komuna e Ferizajt, Albion Sherifi ka thënë se kosto e shpenzim për projektin e dekorimit të qytetit të Ferizajt për sivjet është afro 12 mijë euro.
Fituesi i tenderit për zbukurimin e Ferizajt është operatori ekonomik “N.Sh. Besa”.
Peja
Për dallim nga komunat e tjera, Peja edhe sivjet nuk ka ndarë buxhet për dekorimin e qytetit.
Zyrtarët e kësaj komune kanë arsyetuar mosndarjen e buxhetit për dekorimin e qytetit.
“Komuna e Pejës nuk ka ndarë buxhet për dekorimin e qytetit, po ashtu nuk ka ndarë as vitin e kaluar edhe qyteti ka qenë i dekoruar prej kompanive private të qytetit të Pejës, arsyeja pse s’kemi nda buxhet është se në sheshin kryesor janë duke u zhvillu punime në Infrastrukturë”, kanë thënë nga komuna.
Gjilani
Ndërsa lidhur me projektin për dekorimit të qyteteve Komuna e Gjilanit nuk ka pranuar të jap ndonjë informacion.
Kjo komunë nuk ka treguar lidhur me shpenzimet e se di do të dekorohet apo edhe se kush ka fituar tenderin për të bërë dekorimin e kësaj komune.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka dërguar pyetje edhe në komunat e tjera për të marrë informacione për mjetet e ndara për zbukurimin e qyteteve për festat e fundvitit, por që të njëjtat nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.