Ja sa kryeministra pati Kosova që nga përfundimi i luftës
Kosova shënoi me 12 qershor të këtij viti 20 vjetorin e çlirimit. Për këto dy dekada, Kosova pati disa herë zgjedhje, kabinete qeveritare dhe një numër më të madh kryeministrash, duke qenë se në një mandat pati deri në tri here ndërrim të drejtuesit qeveritar, e në raste tjera qeveritë nuk shkonin deri në fund të mandatit katër vjeçar, duke u shpërbërë pas dy apo tri viteve.
Në fund të luftës në Kosovë u themelua Qeveria e Përkohshme, të cilën e drejtonte Hashim Thaçi si kryeministër, deri në krijimin e Këshillit të Përkohshëm Administrativ ku merrnin pjesë të gjitha grupet politike në Kosovë.
Më pas në vitin 2001 organizohen për herë të parë zgjedhjet e lira parlamentare në Kosovë.
Pas këtyre zgjedhjeve pas negociatave disa mujore, ishte arritur marrëveshja që kryeministër i parë i dalë nga zgjedhjet e lira dhe demokratike të bëhej Bajram Rexhepi nga PDK-ja, ani pse LDK kishte fituar zgjedhjet, por që ish kryetari i saj, Ibrahim Rugova donte postin e presidentit, shkruan FaktePlus.
Kjo qeveri funksionoi deri në vitin 2004, vit ky në të cilin u organizuan zgjedhjet e dyta parlamentare në Kosovën e pas luftës.
Pas këtyre zgjedhjeve ndodhë koalicioni i shumëpërfolur mes LDK-së së Ibrahim Rugovës dhe AAK-së së Ramush Haradinajt, me këtë të fundit kryeministër.
Por, pas vetëm 100 ditëve, Ramush Haradinaj detyrohet të jepte dorëheqje për shkak të aktakuzës për krime lufte të bërë nga Tribunali e Hagës.
Pas dorëheqjes së Haradinajt, si kryetar partie, si pasues të tij kishte lënë Bajram Kosumin, i cili u bë kryeministër në vitin 2005.
Por, as Kosumi nuk e përfundoi mandatin, pasi dha dorëheqje në mars të vitit 2006 pas vetëm një viti në krye të Qeverisë së Kosovës.
AAK-ja sërish gjeti pasuesin e Kosumit. Ishte gjenerali Agim Çeku, atë kohë komandant i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, që pasoi Kosumin në krye të ekzekutivit kosovar.
Edhe Çeku qëndroi kryeminisër një vit, pasi me 17 nëntor 2007 u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale, përnjëherë.
Në këto zgjedhje fituese doli Partia Demokratike e Kosovës, ku edhe në janar të vitit 2008 Hashim Thaçi ishte zgjedhur kryeministër i Kosovës, pas koalicionit pas zgjedhor me LDK-në e udhëhequr atëherë nga Fatmir Sejdiu.
As Thaçi nuk kishte arritur ta qonte deri në fund mandatin, pasi në fund të vitit 2010 prishi koalicionin me LDK-në, duke quar vendin në zgjedhje të cilat ishin mbajtur me 12 dhjetor 2010, shkruan FaktePlus.
Edhe pas këtyre zgjedhjeve fituese kishte dalë PDK-ja e Hashim Thaçit, i cili në fillim të vitit 2011 sërish zgjedhet kryeministër i Kosovës, mandat të cilin sërish nuk e dërgoi deri në fund.
Kjo pasi në vitin 2014 sërish bie qeveria dhe shpallen zgjedhjet të cilat mbahen me 8 qershor, të cilat sërish i fiton PDK, por që kësaj radhe nuk arriti ta merrte drejtimin e Qeverisë, pasi LDK-ja hyri në koalicionin qeverisës me PDK-në vetëm me kushtin që ta merrte postin e kryeministrit.
Pas këtij kushti, Isa Mustafa zgjedhet kryeministër i Kosovës, ku e drejtoi Qeverinë për 1008 ditë, deri në rrëzimin e tij nga vet PDK-ja, në vitin 2017.
Me 11 qershor 2017 u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat prodhuan një kryeministër tjetër, i nominuari i koalicionit PDK-AAK-Nisma dhe disa partitë tjera me të vogla, Ramush Haradinaj, u bë kryeministër i Kosovës për ta drejtuar atë për 678 ditë, për të dhënë dorëheqje javën e kaluar, pas ftesës për intervistim si i dyshuar për krime lufte nga Gjykata Speciale.
Pas dorëheqjes së tij ende nuk dihet nëse do të ketë zgjedhje apo do ta pasoi dikush atë në postin e kryeministrit deri në fund të mandatit./FaktePlus