Ja ku do ta përmbyllin fushatën zgjedhore partitë politike
Subjektet politike që po garojnë të marrin sa më shumë vota në zgjedhjet e parakohshme parlamentare me 6 tetor, nesër do ta përmbyllin fushatën zgjedhore.
Të gjitha partitë dhe koalicionet tashmë kanë vendosur edhe qytetet nga ku do t’i ftojnë për herë të fundit qytetarët që t’i votojnë me 6 tetor.
Partia Demokratike e Kosovës, vendosur që ta përmbyllë fushatën zgjedhore në kryeqendrën e Kosovës, në Prishtinë.
Kështu ka bërë të ditur nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Tubimi përmbyllës elektoral do të mbahet të premten në orën 18:30 në sheshin “Zahir Pajaziti”, ka thënë Memli Krasniqi për FaktePlus.
Kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, e ka zgjedhur për ta përmbyllur fushatën zgjedhore edhe partia e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje.
Në orën 20:00 edhe kandidati i kësaj partie për kryeministër Albin Kurti, do t’i ftoj për herë të fundit në këtë fushatë, qytetarët që ta votojnë atë dhe subjektin që udhëheq, në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Tubimi i fitores mbahet në Prishtinë, Sheshi “Skënderbeu”, të premten në orën 20:00”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate e Kosovës, kanë vendosur që t’i mbajnë dy tubime përmbyllëse, sonte në Prishtinë dhe nesër në Gjakovë.
Blerim Kuçi nga shtabi zgjedhor i AAK-së, ka thënë për FaktePlus se do të mbajnë dy tubime, ani se nuk e ka përmendur se cili do të jetë përmbyllës.
“Sot e kemi në Prishtinë, nesër në Gjakovë. Pastaj do të vlerësojmë përmbylljen e fushatës ku do bëhet”, ka thënë Kuçi për FaktePlus.
Nisma Socialdemokrate e Kosovës dhe partnerët e saj në koalicion, do ta bëjë përmbylljen e fushatës zgjedhore në Prizren.
“Po, Nisma Socialdemokrate, AKR dhe PD do ta bëjnë përmbylljen e fushatës zgjedhore në Prizren”, kanë thënë nga zyra për informim e Nismës.
Kurse zyrtarë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (PDK) thonë se më vonë do ta bëjë publik vendin se ku do ta përmbyllin fushatën zgjedhore.
Kujtojmë se fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, ka qenë dhjetë ditë, e përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas caktimit të datës nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në këto zgjedhje po garojnë 20 parti, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur. Ndërkaq numri i qytetarëve të cilët kanë të drejtë vote në zgjedhjet e sivjetme ka arritur gati në 2 milionë, saktësisht janë 1,937,868 qytetarë me të drejtë vote./FaktePlus