Izraeli rrit presionin për dozën e tretë të vaksinës
Qeveria e Izraelit po rrit presionin ndaj personave që janë vaksinuar me dy dozat e vaksinës kundër koronavirusit.
Nga dita e diel (3 tetor) certifikata e vaksinimit e cila lehtëson lëvizjen dhe qasjen në jetën publike, do të jetë e vlefshme vetëm gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.
Pas kësaj periudhe njerëzit duhet të marrin dozën e tretë përforcuese për të pasur mundësi të hyjnë në ambiente të mbyllura. Izraeli është vendi i parë që e përfshiu dozën përforcuese të vaksinës në certifikatën e vaksinimit.
Masa po shihet gjerësisht si një hap për të inkurajuar vaksinimin me dozë përforcuese.
Sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë, më shumë se 1 milion njerëz mund të preken nga rregullorja e re.
Certifikata është e nevojshme për të marrë pjesë në pothuajse të gjitha fushat e jetës publike në Izrael.
Të gjithë të moshës 3 vjeç e lart duhet të dëshmojnë se janë vaksinuar, janë shëruar nga COVID-19 ose janë testuar negativ nëse duan të vizitojnë ngjarje sportive ose kulturore, palestra, muze, restorante, universitete ose konferenca.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rreth 61 për qind e afërsisht 9.4 milionë banorëve janë vaksinuar me dy doza, ndërsa rreth 37 për qind me dozë përforcuese.
Parakushti për dozën e tretë është që vaksinimi i dytë të jetë bërë së paku pesë muaj më parë.
Në fillim të shtatorit, Izraeli regjistroi më shumë se 11,000 infeksione të reja në ditë, numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë, raporton REL.
Që atëherë, numri ka rënë gradualisht.
Shumë izraelitë organizuan demonstrata në të gjithë vendin në shenjë proteste ndaj masave të reja. Kundërshtarët thanë se kjo është një formë e vaksinimit të detyruar.