Izraeli konfirmon dy raste me Omicron që i kanë marrë nga tri doza të vaksinës
Ministria e Shëndetësisë e Izraelit të premten tha se ka konfirmuar shtatë raste me variantin e ri të koronavirusit, Omicron, duke shkaktuar frikë për rritje të mundshme të numrit të infeksioneve. Katër raste janë persona të pavaksinuar, që janë kthyer së fundi nga Afrika Jugore.
Tre të infektuarit tjerë janë dy të kthyer nga Afrika Jugore dhe nga Britania, të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës dhe nga një dozë shtesë të vaksinës së kompanisë “Pfizer”. Personi i tretë ishte kthyer nga Malavi dhe e ka marrë vaksinën e AstraZeneca-s.
izraeli u bë njëri ndër shtetet e para që i ka mbyllur kufijtë për të huajt pas zbulimit të rastit të parë me variantin Omicron javën e kaluar. Izraelitët që ndodhen jashtë vendit mund të kthehen në atdhe, shkruan Associated Press, përcjell Gazeta Express.
Ministria e Shëndetësisë tha se ka dyshim të lartë se edhe 27 raste tjera janë me variantin e ri të koronavirusit. Tetë prej tyre janë individë që as nuk kanë udhëtuar jashtë vendit, as nuk kanë qenë në kontakt me të ardhurit së fundi, që kanë dalë pozitivë me Omicron.
Të enjten, Kryeministri Naftali Bennett draftoi një grup të ri të masave kufizuese për ta luftuar përhapjen e variantit Omicron. Në mesin e masave përfshihet edhe dënimi prej gati 800 dollarësh për izraelitët që kthehen nga vendet e huaja e që nuk bëjnë një test të dytë PCR.
Shteti me mbi 9 milionë banorë deri më tani ka shënuar rreth 8.200 të vdekur nga koronavirusi. Shumica e popullsisë ose mbi 6.3 milionë banorë e kanë marrë të paktën dozën e parë të vaksinës së kompanisë “Pfizer”.