Izraeli e bën të obligueshëm përdorimin e maskave në vende publike
Qeveria e Izraelit mori vendim për ta bërë të obligueshëm përdorimin e maskave nga të gjithë qytetarët në hapësira publike si përpjekje për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit.
U mor vendim edhe për kufizimin e udhëtimeve gjatë një feste zyrtare të këtij shteti, e cila fillon të mërkurën dhe karakterizohet me bashkim të familjeve për një darkë feste, shkruan “Reuters”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se darka e festës këtë vit duhet të jetë organizim më i vogël dhe në të të marrin pjesë vetëm anëtarët e familjes së ngushtë për shkak të rrezikut nga infektimi.
Nga detyrimi për të përdorur maska janë të liruar fëmijët nën moshën 6-vjeçare, personat me probleme mendore dhe ata që udhëtojnë vetëm me vetura. Qeveria tha se maskat mund të jenë të përgatitura edhe në kushte shtëpiake.
Nga e marta deri të premten do të ndalohet udhëtimi i panevojshëm jashtë qyteteve në mënyrë që të parandalohen tubimet e mëdha të njerëzve për festë.
Izraelitët tashmë e kanë të ndaluar që të largohen më shumë se 100 metra nga shtëpitë ose banesat e tyre, përpos rasteve kur dalin për të blerë ushqim ose ilaçe ose kur shkojnë në vendin e punës.