Izolohet në shtëpi Ramiz Lladrovci, rezulton pozitiv me Covid-19
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, është izoluar të martën në shtëpinë e tij, pasi i është dhënë rezultati nga IKSHPK-ja, ku thuhet se ai ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Lladrovci përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Qytetarë të nderuar, Mora njoftimin nga IKShPK se testi im për covid-19, është pozitiv. Kam pak temperaturë, pa shenja tjera. Ndjehem mirë. Izolimi im vijon në pajtim me rekomandimet e institucioneve shëndetësore deri në shërimin e plotë”, ka shkruar Lladrovci.
Ai në këtë rast ka apeluar sërish tek qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë udhëzimet e IKShPK-së, pra të bartnin maskën, ruajnë distancën dhe mbajnë higjienën.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, është vetizoluar prej ditës së djeshme, pasi i janë shfaqur simptoma të COVID-19.