Izolimi përfundon më 6 janar në Itali, por priten masa të reja
Në Itali vendoset më 6 janar sesi do të procedohet më tej me menaxhimin e masave. Kufizimet që iu imponuan italianëve për festa skadojnë në atë datë dhe të gjitha rajonet kthehen në sistemin e mëparshëm, atë me tri ngjyra, për të përcaktuar aktivitetet e lejuara.
Më të rrezikuarat janë rajonet e cilësuar me ngjyrë të kuqe. Për këtë fashë, parashikohet të bëjnë pjesë zona e Venetos, Ligurias dhe Kalabrisë. Shumë pranë saj, me ngjyre portokalli janë Pulia, Bazilikata dhe Lombardia. Detajet pritet t’i njoftoje kabineti qeveritar pas verifikimeve që do të kryhen nga ekspertët e shëndetësisë.
Ndërkohë, vijojnë vaksinimet në vend. Deri tani njoftohet të jenë vaksinuar kundër Covid-19 pothuajse 46 mijë qytetarë, kryesisht operatorë shëndetësorë, personel spitalor dhe të moshuar të azileve. Procesi i vaksinimit është frenuar disi për shkak të kufizimeve të vendosura nga qeveria Conte me rastin e festave, që kanë minimizuar mundësitë e italianëve për të lëvizur.