Isufi: Koalicioni AAK–PSD, është i mundshëm
Nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ahmet Isufi ka thënë se ftesa e dhomave te specializuara për Ramush Haradinajn ka qenë befasi edhe për vet atë, për çka tha se nuk duhet t’iu mbetet hatri partnerëve të koalicionit që nuk i ka lajmëruar më herët. Ai këto komente i bëri gjatë debatit ‘Çfarë zgjidhje ofrojnë zgjedhjet?’
Sipas tij nuk është në rregull nga ana e partive të thuhet që do të garojmë të vetme në zgjedhje, e të takohen çdo ditë për koalicione të mundshme, përcjell FaktePlus.
“Nuk duhet t’iu mbetet hatri partnerëve të koalicionit që nuk i ka lajmëruar. Menjëherë pas ftesës ai ka marrë vendimin, ka qenë befasi edhe për neve. Janë dhënë dy tri propozime në mbledhje të kryesisë për datën e seancës për shpërndarjen e parlamentit. Reagimi i përfaqësues së BE-së, ka bërë që të vendoset për 22 gusht”, tha Isufi.
Ai la të nënkuptohet se AAK është e gatshme të lidhe koalicion me PSD-në.
“Fushata ka filluar, po shohim lëvizjet që po bëhen, për koalicione janë të çuditshme. Sjellja e PSD-së në raport me interesat e institucioneve dhe qytetarëve na kanë bërë me besu që mund të bëjmë koalicion”, ka thënë Isufi.