Ismaili: Menaxhim të mirë e të shpejtë të mbeturinave për një Prishtinë të pastër
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja, Uran Ismaili ka thënë se brenda vitit të parë qeverisës rregullimi i infrastrukturës për menaxhimin e mbeturinave, deponive të tyre ilegale, do të jetë prioritet për një Prishtinë të gjelbër.
Këto komente Ismaili i bëri nga lokacioni i Deponisë së shëmtuar të Mbeturinave ilegale e cila është krijuar në mungesë të një infrastrukture të përshtatshme komunale për mbledhjen e tyre.
Me këtë rast, Ismaili ka thënë se do të angazhohet që ndër të tjera, të rregulloi dhe organizoi grumbullimin e mbeturinave të gjeneruara nga të gjitha bizneset në Prishtinë, ndërtoj qendrën për trajtimin e mbeturinave të vëllimshme dhe vendosjen e kamerave në të gjitha hapësirat e kryqytetit ku aktualisht grumbullohen mbeturinat ilegale.
Lexoni fjalimin e tij të plotë:
Të nderuara media,
Faleminderit për pjesëmarrjen tuaj këtu.
Jemi sot në një lokacion në Prishtinë, ku prapa meje këtu po shihet një Deponi e shëmtuar e Mbeturinave ilegale e cila është krijuar në mungesë të një infrastrukture të përshtatshme komunale për mbledhjen e tyre.
Kjo deponi, e cila fatkeqësisht nuk është e vetmja në Prishtinë, rëndon dhe rrezikon jetën e qytetarëve të Prishtinës çdo ditë, gjatë tërë vitit. Përveç ndotjes së ambientit, këto deponi në masë të madhe bëjnë edhe grumbullimin e madh të qenve endacakë, që janë një rrezik i përditshëm i yni. Pastërtia dhe higjiena, ose mungesa e tyre, reflektojnë kulturën e qytetit dhe stilin e jetës me të cilin jetojnë Prishtinalitë.
Unë besoj thellë se lidershipi komunal duhet të luajë rol udhëheqës në sigurimin e saj. Prandaj, ka qenë shumë e rëndësishme për mua që në planin për Prishtinën pastrimi i qytetit brenda vitit të parë qeverisës dhe rregullimi i infrastrukturës të jetë prioritet për një Prishtinë të Gjelbër.
Çka do të bëjmë?
•Do të rregullojmë dhe organizojmë grumbullimin e mbeturinave të gjeneruara nga të gjitha bizneset në Prishtinë.
•Do të vendosim kamera në të gjitha hapësirat e kryqytetit ku aktualisht grumbullohen mbeturinat ilegale.
•Do të aprovojmë rregulloren e cila iu pamundëson ndërtimtarëve që të nxihen në flagrancë të hudhjes së mbeturinave pa vend – Marrjen e Lejes së ndërtimit në Komunën e Prishtinës.
•Kemi mendu edhe për mbeturinat nga materiali ndërtimor. Do ta ndërtojmë qendrën për trajtimin e mbeturinave nga ndërtimi dhe demolomi, në zona të përshtatshme për qytetarët e ta qasshme për ndërtuesit. Prandaj, Prishtina e Gjelbër është Prishtina e së ardhmes – e cila nuk do të tolerojë më një qytet të ndotur, jofunksional e pa infrastrukturë për qytetarë, biznese e kompani ndërtimi.
Në këtë vizion dhe plan – Prishtina na Bashkon të gjithëve.