Ismaili: Kolapsin e së keqes e ka lënë trashëgim LDK-ja
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili u është përgjigjur kritikave që kanë dhënë paradite drejtues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) lidhur me sektorin e shëndetësisë në Kosovë.
Ismaili tha se është LDK-ja e cila ka shkatërruar sistemin shëndetësor për 10 vjet me radhë dhe tani qeverisja aktuale po mundohet që ta përmirësoj.
“LDK, e cila ka shkatërruar sistemin shëndetësor për 10 vjet me radhë dhe e ka varfëruar qytetarin, sot flet për kolaps në këtë sektor. Është e vërtetë se ka një kolaps, por ai është kolapsi i së keqes – të cilën e ka lënë trashëgim kjo parti që mbi shëndetësinë kishte një lloj monopoli politik”, ka thënë Ismaili.
Sipas tij, prej kohës që ka marrë mandatin e ministrit ka punuar në ndaljen e korrupsionit në blerjen e barnave prej 6 milionë euro.
Ai tha se falë angazhimit të tashëm është arritur rritja e pagave për profesionistët shëndetësorë dhe shërbimit 24 orësh për kujdesin e zemrës dhe tentimin dhe se këto të arritura e bëjnë vitit më të suksesshëm që ka pasur shëndetësia pas luftës, e për të cilat do të duhej të gëzohej edhe LDK-ja.
“Fakti që janë kryer më shumë punë brenda vetëm një viti sesa gjatë tri mandateve të LDK-së, duhet të jetë pikëlluese për ta, por unë i ftoj që të jenë përkrahës, e jo pengues, të reformave në shëndetësi, prej të cilave përfitojnë qytetarët tanë, pa dallime partiake”, është shprehur ministri Ismaili.