ISIS-i merr përgjegjësinë për dy sulmet në Bagdad ku u vranë 32 persona, cak shiitët
Grupi terrorist, ISIS, ka thënë se qëndron prapa dy sulmeve vetëvrasëse në kryeqytetin irakian, ku të enjten mbetën të vdekur 32 persona dhe u plagosën mbi 100 të tjerë.
Agjencia Amaq, e cila funksionon si pjesë e grupit famëkeq, tha se cak i dy shpërthimeve ishin myslimanët shiitë. Ky ishte sulmi më i madh vetëvrasës në Bagdad në tre vjetët e fundit.
Sulmuesit vetëvrasës i aktivizuan bombat në kohën kur ndodheshin në një grumbull njerëzish që po bënin tregti në një treg të rrobave të dorës së dytë në Sheshin “Tayaran”, shkruan BBC.
Sulmet vetëvrasëse kanë qenë të rralla në Bagdad që nga mposhtja e ISIS-it në këtë rajon në fund të vitit 2017.
ISIS-i dikur kontrollonte një territor prej 88.000 kilometrash katrorë, nga pjesa lindore e Irakut deri në pjesën perëndimore të Sirisë, duke i vendosur nën regjim brutal gati tetë milionë njerëz.
Pavarësisht mposhtjes së ISIS-it në fushëbetejë, një raport i OKB-së në gusht të vitit të kaluar vlerësoi se mbi 10.000 luftëtarë të këtij grupi janë ende aktivë në Irak dhe Siri.