Ish-zëvendësministri Rexhaj: Gjendje e rënduar në arsim, grevat të paefektshme
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka paralajmëruar sërish grevë të përgjithshme nëse brenda 15 ditëve Qeveria e Kosovës nuk i plotëson kërkesat e tyre sa i përket Ligjit të Pagave.
E, grevat në arsim po i vlerëson si të paefektshme, ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj.
Ai tha për Front Online se Qeveria duhet t’i realizoj kërkesat e SBASHK-ut.
Rexhaj tha se gjendja në arsim është shumë e rënduar dhe Qeveria duhet të sigurojë zgjidhje për t’i ndalë sindikalistët kërkesat për Ligjin e Pagave.
“Pas COVID-it gjendja në arsim është shumë e rënduar. Protestat nuk do ta ndihmojnë aspak këtë proces të këndelljes, prandaj kisha thënë që të gjitha palët me qenë shumë më të përgjegjshëm lidhur me zbatimin e protestave por të gjitha palët jo vetëm sindikatat por edhe ministra dhe Qeveria duhet t’i marr shumë seriozisht këto çështje. Qeveria duhet të bëjë çmos që me i siguruar sindikatat që po bëjnë çmos për me i dalë kërkesa për Ligjin e Pagave, ne e dimë që kohën e fundit Qeveria i dha nga 100 euro pa i kërkuar askush hiç, edhe sindikatat duhet të kuptojnë më mirë gjendjen serioze të arsimit në të cilën gjendet sot”, u shpreh Rexhaj.
Sipas ish-zëvendësministri të Arsimit, sindikatat duhet të jenë më pak agresive në paralajmërimet e tyre.
Rexhaj potencoi se nga grevat dhe protestat më së shumti janë nxënësit të dëmtuar.
“Grevat nuk janë të mira asnjëherë për arsim prandaj po them që Qeveria ka hapësirë për me punuar për Ligjin e Pagës me marr më seriozisht më shpejt por sindikatat duhet të jenë më të kufizuara dhe të jenë më pak agresive me paralajmërime si protesta e greva por këto ndikojnë në destabilizimin sistemin të dyja palët duhet të bëhen më serioz. Nxënësit janë të dëmtuar rënd me mënyrën se si është gjendja në arsim edhe për shkak të COVID-it prandaj po them shumë pak ka hapësirë që gjendja të përkeqësohet në arsim që të bëhet e pakthyeshme të bëmat që ja shkaktojnë nxënësve”, potencoi Rexhaj për Front Online.