Ish-sulmuesi anglez: Do të habitem nëse ka thirrje raciste edhe në Kosovë
Ish-sulmuesi anglez e tani aksionar në klubin Ferizaj në Kosovë, Brian Deane, e ka dhënë një intervistë për mediumin britanik, DailyMail, për përvojën e tij në Kosovë, ku thotë se nuk është përballur asnjëherë me racizëm.
Kosova do ta presë nesër në orën 16:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë Kombëtaren e Anglisë, për ndeshjen e fundit në kuadër të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, raporton Gazeta Express.
Para kësaj ndeshjeje, Kombëtarja e Anglisë do të arrijë në aeroportin “Adem Jashari” sot në orën 18:30, ndërsa trajneri anglez Gareth Southgate do të mbajë konferencë në Prishtinë në orën 19:30.
Ndërkohë, mediumet e mëdha britanike kanë publikuar shumë artikuj në lidhje me historinë dhe ngritjen e Kombtëares së Kosovës gjatë viteve të fundit. DailyMail ka bërë intervistë me ish-sulmuesin anglez Brian Deane, i cili ka mjaft shumë njohuri për Kosovën pasi që është aksionar në klubin Ferizaj.
“Sa herë që unë vij në Kosovë, shoh dëshmi ndryshimi dhe zhvillimi, me ndërtesa të reja dhe lansimin e kompanive të reja përreth rrugëve”, ka thënë Deane.
“Jam i sigurt se ky vend do të vazhdojë të zhvillohet me shpejtësi, por Prishtinë, kryeqyteti, është një qytet i vogël plot jetë, me një kulturë të këndshme të kafeneve”.
“Do të ishte i habitur nëse lojtarët e Anglisë përballen me abuzim racor siç u ndodhi në Mal të Zi. Unë nuk jam përballur kurrë me probleme të tilla në Kosovë. Nuk kisha shkuar në të vërtetë atje për t’u përfshirë në futboll, por këtë vit u bëra aksionar në Ferizaj”.
“Skuadra e Kosovës ka bërë punë shumë të mirë. Ata do ta frymëzojnë gjeneratën e re të lojtarëve”.