Ish-sekretari i MIE: Hoti duhet të ketë përkrahjen e 2/3 të deputetëve për rifillimin e dialogut
Drejtori Ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha vlerëson se Qeveria e udhëhequr nga Abduallah Hoti në raport me dialogun Kosovë-Serbi, duhet të ketë mbështetjen e 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ish-sekretari i ministrisë së Integrimit Evropian thotë se Hoti duhet të ketë një platformë politike e cila duhet në Kuvend në rrafshin e brendshëm politik kurse jashtë duhet të sigurojë që nuk ka përçarje ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për sa i përket çështjes së dialogut.
“Qeveria duhet të ndjek dy aspekte sa i përket dialogut me Serbinë i pari është ai i brendshmi ku kryeministri Hoti i cili me vendim të Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë kryenegociatorë, duhet të sigurojë një konsensus të brendshëm politik, duhet të siguroj përkrahje të 2/3 në Kuvendin e Kosovës për nisjen e negociatave”, ka thënë drejtori i EPIK Shasha.
“Duhet të votohet një platformë politike për nisjen e negociatave me Serbinë, duhet të votohen një ekip dhe duhet të përkufizohen parimet dhe vijat e kuqe të dialogut”.
“I dyti është ai i jashtëm ku kryeministri Hoti duhet të sigurojë që ekziston vetëm një dialog dhe ai është dialog i udhëhequr nga Bashkimi Evropian në përputhje me rezolutën e Kombeve të Bashkuara, ai duhet të sigurojë edhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duhet të sigurojë që nuk kanë përçarje në mes të partnerëve tanë tradicional, transatlantik”, ka thënë ai.
Por që ai thotë se kjo do të jetë një sfidë për kryeministrin Abdullah Hotin të sigurojë 2/3 e i cili u zgjodh kryeministër me vetëm 61 vota, e që sipas tij, pa një pëlqim paraprak është e papranueshme të rifillojë dialogu.
“Kjo do të jetë një sfidë politike por sado që është e vështirë është e paevitueshme, është jashtëzakonisht e papranueshme që dialogu të filloj pa një pëlqim paraprak pa një mandat paraprak me 2/3 në Kuvendin e Kosovës”.
Kurse sa i përket debatit publik se a duhet dialogu të udhëhiqet nga BE-ja apo nga ShBA-ja, Shasha thotë se për objektivat e dialogut ka një dakordim të plotë ndërmjet të këtyre dyjave.
Ai thotë se Hoti e ka për obligim të siguroj mbështetje të dyanshme, kurse çështja e kufijve sipas tij, nuk do të jetë temë diskutimi, raporton EO.
“ShBA-të dhe BE-ja janë në dakordim të plotë për sa i përket objektives apo qëllimit të dialogut, tani është mbi kryeministrin të sigurojë fillimisht kohezion politik në Prishtinë e më pastaj kohezion politik në rrafshin ndërkombëtarë”.
“Përderisa kemi deklarata në diskursin publik si një ide por asnjëherë por asnjëherë si propozim apo qëndrim i palës kosovare, të gjitha partitë politike pa dallim kanë deklaruar se integriteti territorial është i pacenueshëm, rrjedhimisht në përputhje me qëndrimet politike në asnjë formë integriteti territorial i Kosovës nuk mund të jetë temë e diskutimit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi”, ka thënë ai.