Ish- ministri sot merret në pyetje për gylenistët
Komisioni Hetimor i Kuvendit të Kosovës, që është formuar për ta ndriçuar rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova më 29 mars të këtij viti pritet që sot të marrë në pyetje ish- ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefajn.
Sipas agjendës, para këtij komisioni është paraparë që sot nga ora 10:00 të paraqitet edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe familjarët e të të deportuarve.
Por, presidenti Thaçi edhe sot nuk do të paraqitet në Komision, meqë ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjashtë shtetasit turq, të njohur si gylenistë, janë dëbuar nga Kosova më 29 mars të këtij viti.
Pas kësaj është shkarkuar Flamur Sefaj që mbante postin e ministrit të Punëve të Brendshme si dhe shefi i AKI-së Driton Gashi.