Ish-Ministri i Drejtësisë: Qeveria po e shpërfillë dhe keqpërdorë zbatimin e gjendjes emergjente
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri thotë se Qeveria e Republikës së Kosovës, po e shpërfillë dhe keqpërdorë zbatimin e duhur të gjendjes emergjente.
Postimi i plotë:
Qeveria e Republikës së Kosovës, po e shpërfillë dhe keqpërdorë zbatimin e duhur të gjendjes emergjente, duke e tejkaluar të njejtën, dhe duke marrë vendime shumica e të cilëve e kufizojnë në thelb lirinë e lëvizjes, të garantuar sipas nenit 35 të Kushtetutës, kufizimi i të cilës, për të gjithë qytetarët pa dallim, mund të bëhet vetëm në rrethana të Gjendjes së Jashtëzakonshme, si dhe me kushte e rrethana që e arsyetojnë një kufizim të tillë, si dhe në masën që e arsyeton proporcionalisht esencën e të drejtës që kufizohet, dhe vetëm sipas nenit 131 (paragrafi 4) të Kushtetutës (me Dekret të Presidentit dhe me pëlqim të deputetëve të Kuvendit).
Kujtojmë se liria e lëvizjes si një nga të drejtat themelore të çdo njeriu, përveç në Kushtetutën e RKS, është proklamuar në nenin 13 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, si dhe në nenin 12 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, akte juridike ndërkombëtare, të cilat sipas nenit 22 të Kushtetutës, zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës dhe kanë prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike.
Përfundimisht, vendimi i marrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, i cili kufizon esencialisht mes tjerash, edhe lirinë e lëvizjes, si e drejtë dhe liri kushtetuese, në emër të adresimit të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Pubilike, përbën shkelje të autorizimeve ligjore e mbi të gjitha cenim të drejtëpërdrejtë të lirisë së lëvizjës sipas nenit 35 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.