Ish-ministri Hasani i reagon Kurtit: Me taksë deri në njohje!
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, anëtar i Kryesisë së AAK-së, Bajram Hasani, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentares Vjosa Osmai, që taksa ndaj Serbisë të zëvendësohet me reciprocitet.
Hasani përmes një reagimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka thënë ende nuk ka ardhur koha për heqjen e kësaj takse.
Ai ka thënë se Serbisë duhet t’i shkaktohen edhe më shumë dëme ekonomike.
“Nëse ndonjëherë pas luftës Kosova ka treguar fuqi ndaj Serbisë, ka qenë me vendosjen e masave mbrojtëse dhe taksa 100 % ndaj produkteve serbe. Nuk besoj që ka ndonjë qytetar të këtij vendi që nuk është ndier mirë me fuqinë e treguar dhe ndikimin që ka pasur taksa. Masat mbrojtëse, taksa 100 % dhe po ashtu vendosja e flamurit të origjinës në raftet ku ekspozohen mallrat kanë pasur ndikim të madh si financiar, por edhe e kanë edukuar qytetarin e Kosovës për të blerë prodhime vendi”.
“Ende nuk ka ardhur koha për heqjen e kësaj takse. Serbisë duhet t’i shkaktohen edhe më shumë dëme ekonomike. Për LDK-në e kam ditur që e largon taksën lehtësisht, ama ti kryeministër Kurti mos u ngut sepse edhe vet shumë vite ke luftuar kundër mallrave me barkodin 860. Me taksë deri në njohje!”, ka shkruar ish-ministri Hasani.