Ish-ministri dhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë kërkojnë pafajësinë në Apel
Ish-ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Fehmi Agani dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, po kërkojnë nga Gjykata e Apelit lirimin nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare në rastin e njohur si “Stenta 1”.
Ata akuzohen se kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me rastin e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me spitalet private, si dhe me ndarjen e mjeteve për pacientët që ishin trajtuar në këto spitale, raporton “Betimmi për Drejtësi”
Lidhur me këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë më 24 prill 2019 kishte shpallur fajtor ish-ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretarin e kësaj ministrie, Gani Shabani, për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Në seancën e mbajtur të premten, në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit, u shqyrtuan ankesa e Prokurorisë Speciale dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve për këtë rast.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), përmes ankesës së ushtruar ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, sa i përket vendimit mbi dënimin, ka kërkuar nga Apeli që ta ndryshoj aktgjykimin e shkallës së parë dhe të dënuarve tu shqiptohen dënime më të ashpra, duke marr parasysh rrethanat rënduese të cilat janë injoruar nga gjykata e shkallës së parë.
Ankesë brenda afatit ligjor ka ushtruar edhe mbrojtësi të akuzuari Agani, avokati Adem Vokshi, i cili ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet, ashtu që aktakuza e ngritur nga organi jo kompetent të refuzohet dhe të mbrojturin e tij ta liroj nga akuza, apo aktgjykimin e shkallës së parë ta anuloj dhe çështjen ta kthej në rigjykim.
Ai gjatë seancës deklaroi se aktgjykimi i shkallës së parë është skandaloz, pasi sipas tij, lidhur me dispozitivin e aktgjykimit ku thuhet se i akuzuari Agani ka keqpërdorur pozitën zyrtare me qëllim që për vete apo për tjetrin të fitoj dobi pasurore, edhe vet gjykata nuk është në gjendje të përcaktoj se kujt i ka sjellë dobi pasurore, me veprimet e tij të kundërligjshme.
“Gjatë tërë procesit gjyqësor trupi gjykues nuk ka pasur në dispozicion asnjë provë me të cilën do të vërtetohej dëmi i shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, edhe pse ky dëm është 4 milion e gjysmë”, shtoi avokati Vokshi.
Sipas tij, sa i përket ekzistimit të lartësisë së dëmit, gjykata nuk ka pasur asnjë provë me të cilën do të vërtetohej lartësia e dëmit, por sipas tij, këtë e ka bazuar vetëm në pretendimet shabllone të prokurorisë, të cilat nuk janë vërtetuar asnjëherë me asnjë ekspertizë financiare.
Po ashtu ai shtoi se në një pjesë të periudhës në të cilën pretendohet se është kryer vepra penale, i akuzuari Agani nuk ka qenë fare ministër i kësaj Ministrie.
“Gjykata e shpall fajtor për periudhën në të cilën ai nuk kishte qenë fare ministër i Shëndetësisë, gjykata ka administruar provat sa i përket vendimit mbi emërimin e tij në pozitën e ministrit”, ka thënë ai.
Sipas mbrojtësit, Agani është shpallur fajtor edhe për shkeljen e Ligjit të Prokurimit Publik, për çka sipas tij, gjykata e shpall fajtor për nenin 4, neni cili ka paraparë përkufizimin e termit e autoritet kontraktues.
Pra sipas tij, gjykata e ka shpallur fajtor për mos shpallje të tenderit apo çfarëdo shpallje tjetër, duke mos e përcaktuar se cila është procedura specifike të cilën është dashur ta ndjek i akuzuari.
Ndërkaq vet i akuzuari Agani deklaroi se beson në institucionet gjyqësore të vendit dhe se pret lirim nga kjo akuzë.
“Ky gjykim më ka rënduar shumë dhe më ka dëmtuar shumë si në aspektin familjarë si në atë profesional ashtu edhe në atë politik. Me durim dhe kujdes kam marr pjesë në të gjitha seancat gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i befasuar me vendimin e kësaj gjykate, i cili ka qenë në kundërshtim me të gjitha provat e shqyrtua gjatë procesit gjyqësor, megjithatë vazhdoj të kem besim të plotë në institucionet gjyqësore të këtij vendi dhe pres lirim nga kjo akuzë” shtoi Agani.
Ai gjatë deklarimit të tij tha se, për shkak të kësaj aktakuze i është pamundësuar që për dy mandate të kandidojë për zgjedhjet parlamentare të vendit, duke e konsideruar këtë aktakuzë me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike.
Ai deklaroi se gjatë kohës sa kishte qenë ministër i Shëndetësisë, asnjëherë nuk kishte keqpërdorur pozitën zyrtare, dhe se lirimi i tij do të ndikoj në kthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi.
Ankesë mbi të gjitha bazat ankimore ka ushtruar edhe mbrojtësi i të akuzuari Shabani, avokati Nikë Shala, me propozimin që i mbrojturi tij në mungesë të provave të lirohet nga akuza.
Mirëpo në mungesë të Shalës, gjatë seancës i akuzuari Shabani u përfaqësua nga avokati Skënder Musa, i cili kërkoi nga gjykata që i mbrojturi i tij të shpallet i pafajshëm.
Ai tha se Ligji për Menaxhimin e financave Publike nuk ka paraparë që subvencionet nuk hyjnë në kuadër të procedurës së , raporton “Betimmi për Drejtësi”
Musa tha se më skandalozja dhe që tregon se trupi gjykues ka qenë i njëanshëm, është shtrembërimi i interpretimit gjyqësor të deklaratave të dëshmitareve.
Madje ai tha se përpos që lënda duhet të kthehet në rigjykim, ky trup gjykues nuk është i denjë për ta gjykuar këtë çështje.
E duke iu referuar kryetares së trupit gjykues në shkallë të parë, Shadije Gërguri, ai tha se ajo nuk është e denjë për ta gjykuar këtë lëndë, pasi që e njëjta nuk ka asnjë njohuri për ligjet e shëndetësisë, për ligje të financave dhe ligjeve të tjera të posaçme.
Ai tha se ajo nuk di të bëj as dallimin midis ekspertit dhe dëshmitarit, pasi që në aktgjykim deklaratës së ekspertit i është referuar si deklaratë e dëshmitarit.
Ndërkaq Prokuroria e Apelit, përmes parashtresës, ka propozuar që të aprovohet ankesa e PSRK-së, ashtu që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet për sa i përket lartësisë së dënimit, ndërsa ankesat e mbrojtësve të refuzohen si të pabazuara.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 24 prill 2019 kishte shpallur fajtor Ish-ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Gani Shabani janë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në rastin e njohur si “Stenta 1”.
Për këtë vepër penale, Agani ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa i akuzuari tjetër, Gani Shabani me 2 vjet burgim efektiv.
Ata akuzoheshin se kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me rastin e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me spitalet private, si dhe me ndarjen e mjeteve për pacientët që ishin trajtuar në këto spitale.
Ish-ministri Agani dhe ish-sekretari Shabani, të cilët nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt 2018.
Në shqyrtimin fillestar të 26 shkurtit 2018, po ashtu ishte bërë e ditur nga gjykatësja e këtij rasti, Shadije Gërguri, që të akuzuarit Agani dhe Shabani tash e tutje do të vazhdojnë të gjykohen veçmas nga të akuzuarit tjerë, të cilët do të gjykohen në dy procedura të tjera.
Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.
Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.
Sipas aktakuzës së PSRK-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore prej 1 janarit 2011 deri më 31 dhjetor 2015, të akuzuarit Agani dhe Shabani, duke vepruar në bashkëkryerje me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me të akuzuarit tjerë në këtë rast, Ali Hocaoglu dhe Borche Petrovski dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik kanë keqpërdorur pozitën e tyre.
Një gjë të tillë, sipas prokurorisë, i akuzuari Shabani në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në MSH, kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore që nuk ofroheshin në institucione publike.
Këto marrëveshje ai pretendohet se i kishte nënshkruar me spitalet private International Medicine Hospital (IMH) dhe Intermed EDA, pa e shpallur tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.
Ndërsa, vazhdon aktakuza, i akuzuari Agani në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, pretendohet se nuk kishte penguar nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve edhe pse kishin qenë në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik., mirëpo, i njëjti kishte ndikuar tek i akuzuari Shabani që të bëhej nënshkrimi i tyre dhe pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve kishin vazhduar keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ku me dashje dhe dijeni nuk kishin marrë veprime të nevojshme për të furnizuar me materiale kardiologjinë invazive në QKUK, por përkundrazi, në bashkëpunim me Hocaoglun dhe Petrovskin, u kishin paguar spitaleve private IMH dhe Intermed EDA shumën prej 4,555,553.00 euro.
Më ketë, sipas aktakuzës, Agani dhe Shabani kishin kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me çka kishin dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 4,555,553.00 euro.
Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.