Ish-ministra e zyrtarë të tjerë të lartë do të dëshmojnë para deputetëve për privatizimin
Lista e personave që do të dëshmojnë për procesin e privatizimit në Kosovë ndër vite, është miratuar nga Komisioni hetimor parlamentar i krijuar enkas për këtë çështje.
Pjesë e kësaj liste janë zyrtarë që kanë pasur funksione publike e private, të cilat ndërlidhen me privatizimin. Ndonëse lista e plotë e dëshmitarëve nuk u publikua, në Komision janë përmendur disa emra.
LDK-ja kërkoi që të shtohet emri i ish-ministrit të Tregtisë, Bujar Dugolli, dhe nga lista të hiqet ish-zëvendës kryesuesi i Bordit të AKP-së, Naser Osmani, i cili është në proces gjyqësor pikërisht për privatizimin, raporton KOHA.
Një kërkesë të tillë e pati edhe PDK-ja për ish-përfaqësuesin e UNMIK-ut, Andrea Capusela.
Kurse, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi interpretim ligjor për këtë çështje.
Megjithatë, kryetari i Komisionit, Harjullah Çeku, ka paralajmëruar ndryshime, duke thënë se lista e dëshmitarëve nuk është përfundimtare. Kurse, lista e ekspertëve u la të përpilohet në mbledhjet e ardhshme.
Ky komision ka për mandat hetimin e të gjitha privatizimeve dhe dyshimeve për keqpërdorime që nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), e deri tek Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).