Ish-kryenegociatorja: Borelli dëmtoi neutralitetin e BE-së me reagimin për aksionin e Policisë
sh-kryenegociatorja e bisedimeve me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar ndaj deklaratës së përfaqësuesit të lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, lidhur me aksionin e Policisë së Kosovës kundër kontrabandës në veri, shkruan Gazeta Express.
Tahiri tha se Borrell ka pasur një reagim të njëanshëm ndaj ndërhyrjes së ligjshme të Policisë së Kosovës në veri.
Ajo tha se me këtë qasje Borrell ka dëmtuar paanshmërinë e BE-së si ndërmjetësuese e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Madje, Tahiri i ka bërë thirrje Qeverisë që të bëjë një reagim zyrtar pranë autoriteteve të larta të BE-së për deklaratën e diplomatit evropian.
“Dje Borelli pati nje reagim te njeanshem ndaj nderhyrjes se ligshme te Qeverise dhe policise se Kosoves kunder kontrabandes dhe krimit ne Kosove. Me qasje te tille demtoi paanshmerine e BE-se si ndermjtesuese ne dialogun e Brukselit, madje tregoi se sa shume eshte i ndikuar nga Beogradi. Qeveria duhet te beje kunder reagimin zyrtar prane autoriteteve te larta te BE-se, sepse paanshmeria eshte baza e besimit ne ndermjetesimin qe bene BE ne dialog”, ka shkruaar ajo në një postim në “Facebook”.
Dje përfaqësues i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell ka reaguar pas situatës së krijuar në veri të vendit, pasi Policia e Kosovës zhvilloi një aksion kundër kontrabandës.
Borrell tha se incidentet e dhunshme në veri duhet të ndalen menjëherë, teksa ka konsideruar se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme.
Më tutje, Borrell tha se të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet që të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Aksionet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka thënë ai.