Ish-komandanti i UÇK-së kundër idesë së Kurtit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak
Hisen Berisha, komandanti i njohur i luftës së Koshares, njëherësh ish-epror i lartë në Forcën e Sigurisë së Kosovës e ka komentuar idenë e kryeministrit Albin Kurti, që shërbimi ushtarak do të bëhet i detyrueshëm.
Berisha ka thënë se shërbimi i detyrueshëm ushtarak është ide e tejkaluar. Sipas tij, kjo do të ishte e mundur nëse do të kishte një edukim të qytetarëve në fushat e mbrojtjes.
“Mendoj se kjo ide është e tejkaluar jo vetëm për ne si Kosovë, por edhe të shteteve të rajonit dhe kjo do të kishte kuptim nëse pretendohet me edukimin e qytetarëve në fushat e mbrojtjes, të sigurisë, por jo të një sistemi të detyrueshëm ushtarak klasik ashtu siç është menduar apo pa ndonjë elaborim më të detajuar”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për krijimin e kapaciteteve profesionale ushtarake dhe të një ushtrie profesioniste.
Ai e ka komentuar edhe zhvillimin profesional të Ushtrisë së Kosovës.
Berisha në një prononcim për Ekonomia Online tha se oficerët që dalin nga akademia mbrojtëse do t’i përmbushin pritjet e partnerëve strategjik dhe sipas tij Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e organizatave të rëndësishme të sigurisë.
“Besoj se me oficerët që po dalin nga akademia e mbrojtjes dhe me ushtarët që kanë një program trajnues shumë profesional dhe me lidershipin ushtarak ne do t’i përmbushim pritjet e partnerëve strategjik dhe Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e integrimeve evropiane dhe ndërkombëtare”
Më tutje ai theksoi se forca ushtarake është një projekt i mbështetur nga ShBA dhe është një proces i pakthyeshëm.
“Qeveria Kurti ka programin e vet me të cilin besoj se do ta determinojë me faktor dhe procese që e determinojnë procesin përgjithësisht në Kosovë, por sa i përket forcës dhe kapaciteteve ushtarake cilado qeveri qoftë, ky është një projekt i mbështetur nga SHBA drejtpërdrejt nga një bashkëpunim përmes një marrëveshje mbi statusin e forcës dhe është një proces i pakthyeshëm”.
Ai gjithashtu ka një porosi për bashkëpunëtorët e tij që në të ardhmen të ketë një sistem të kontrollit ajror që të bartë emrin e Sali Çekut, dhe një sistem mbrojtës kundër raketor që të mbart emrin e Adem Jasharit.
“Ëndrra ime dhe amaneti im që do ta mbart vazhdimisht të kolegët e mi dhe bashkëpunëtorët e mi në forcë është që në të ardhmen të kemi një sistem të kontrollit ajror, radarëve që do të bartnin emrin e Sali Çekut dhe një sistem të mbrojtjes kundër raketore që do të mbarte emrin e Adem Jasharit”
Meqë jemi në ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ai e ka vlerësuar lart kontributin e familjes Jashari dhe të të gjithë të rënëve për liri.
“Çdo periudhë e historisë i ka heronjtë e vet ashtu edhe etapa e periudhës së sakrificës së viteve 90-ta i ka edhe familjet që sakrifikuan që janë emblemë e sakrificës tonë, siç janë familja Jashari e shumë vende tjera . Çdo etapë i ka figurat e veta emblematike. E tillë është edhe familja e komandantit Adem Jashari, e shumë prijës të tjerë si Sali Ceku, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani, Sadri Zeneli, Vëllezërit Haradinaj e të tjerë”, tha Berisha.
Ai ka thënë se në këtë përvjetor do të duhej të kishim arritje më të cilat familjet e dëshmorëve dhe të të gjithë atyre që sakrifikuan do të ndjeheshin të kënaqur.
” Shpresojmë por edhe pritjet e mia janë se duke qenë pjesë e përgjegjësisë dhe procesit të krijimit të projektit të Forcave të Armatosura të Kosovës dhe shumë shpejt me mbështetjen politike dhe monetare të institucioneve, Kosova shumë shpejt t’i konsolidojë forcat e veta të armatosura dhe të jenë një mekanizëm i besueshëm dhe stabil për sigurimin dhe sistemin e sigurisë në vendin tonë”, tha ai.