Ish-Guvernatori hap Institut për zhvillimin ekonomik të Kosovës

Fehmi Mehmeti, i cili ka qenë Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës- BQK deri para pak muajve nuk ka ndërmend të shkëputet nga zhvillimet ekonomik. E ka hapur një Institut që ka të bëjë më zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Mehmeti në rrjetin sociale facebook. Ka thënë se Instituti ka qëllim që të jetë në shërbim të zhvillimit në aspektin ekonomik dhe integrues.
“Ju njoftoj se në Prishtinë është themeluar Instituti Hulumtues për Ekonomi dhe Financa (IHEF). Instituti ka qëllim që të jetë në shërbim të zhvillimit të Kosovës në aspektin ekonomik dhe integrues.
Me eksperiencë të gjatë udhëheqëse në sektorë të rëndësishëm, së fundmi Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, do të drejtoj institutin që të kontribuojë për idetë ekonomike me qëllim zhvillimin ekonomik dhe prosperues të Kosovës”, ka shkruar Mehmeti.
Ish Guvernatori ka treguar edhe fushatë në të cilat do të orientohet instituti.
“Kosova si shtet i ri ka nevojë për më shumë ide dhe plane konkrete, të cilat do të jenë një mundësi më e mirë për institucionet qoftë publike apo edhe private.
Fushëveprimtaria e Institutit IHEF fokusohet në disa fusha si: Zhvillim ekonomik, social, avokim e lobim, integrime evropiane dhe komunikim”, ka përfunduar Mehmeti.
Fehmi Mehmeti për një mandat ka shërbyer si Guvernator i BQK-së.