Ish-gruaja e Trumpit: Ishte i pakujdesshëm ndaj koronavirusit
Ish-gruaja e presidentit amerikan, Donald Trump, Ivana Trump, e ka quajtur presidentin “të pakujdesshëm” pasi ai u infektua me koronavirus.
“Ishte i pakujdesshëm. Mendonte se ai s’do të infektohej me virus”, tha për revistën People ish-gruaja e Trumpit.
Ivana Trump shtoi se ka qëndruar në kontakt me tre fëmijët e tyre, duke iu referuar Donald Trump Jr, Eric Trumpit dhe Ivanka Trumpit, që i kanë bashkë nga martesa e tyre që zgjati prej 1977-tës deri 1992-tën.
“Është një kohë shumë e vështirë, është stresuese”, shtoi tutje 71-vjeçarja.
Ajo tha se “kam folur me fëmijët e mi dhe, sigurisht, janë të shqetësuar”.
Ivana Trump, tutje tha se Trumpi u tregua i pakujdesshëm vetëm lidhur me koronavirusin.
“Jam tronditur sepse ai është personi më i pastër dhe më i shëndetshëm. Por jo më i shëndetshmi me ushqim, por nga aspekti i pastërtisë. Gjithmonë lan duart, është i kujdesshëm. Pika e tij e dobët është ushqimi. E preferuara e tij është Big Mac – është dobësia e tij më e madhe”, shtoi tutje Ivana Trump.
Trumpi, 74-vjeçar, u dërgua në Spitalin Walter Reed të premten pasdite pasi ai njoftoi më herët në mëngjes se ai dhe gruaja e tij, Zonja e Parë Melania Trump kishin dalë pozitivë për COVID-19.
Mjeku personal i tij, Sean Conley, në një konferencë shtypi të shtunën tha se presidenti është në gjendje të mirë shëndetësore dhe “në humor të mirë”.
Megjithatë, të shtunën mbrëma New York Times, raportoi se një burim i afër i Trumpit ka thënë se ”48 orët e ardhshme janë kritike për presidentin”.