Ish-gjykatësi i EULEX-it zgjidhet kryetar i Kushtetueses në Speciale
Gjyqtari Vidar Stensland është rizgjedhur kryetar i Gjykatës Kushtetuese në kuadër të Speciales në Hagë.
Vendimi është marrë më 25 prill, teksa mandati Stenslandit i fillon më 1 qershor të 2022-ës.
Mandati i tij do të jetë një-vjeçar.
Por kush është Vidar Stensland?
Me kombësi norvegjeze, Stensland ka qenë gjykatës në Gjykatën e Apelit të Halogalandit (Haalogaland) në Tromsë (Tromsø) që nga viti 2001.
Nga 2013 deri më 2016, ai punoi si gjykatës i EULEX-it, në gjykatën themelore të Mitrovicës.
Nga 2007 deri më 2009, punoi si këshilltar ligjor dhe më pas si kreu i Misionit Këshillimor të Norvegjisë për Shtetin Ligjor në Gjeorgji.
Nga 2004 deri më 2009, ishte anëtar i Komisionit për Rishikimin e Çështjeve Penale në Norvegji.
Nga 2000-2001, ai punoi në zyrën e vetë të avokatisë. Gjatë periudhës 1985-1999, ai ka shërbyer në poste të ndryshme në Prokurorinë e Norvegjisë si kreu i departamentit për ndjekje penale/zëvendësshef i policisë, prokuror i lartë në Norvegjinë veriore dhe në Autoritetin Kombëtar të Norvegjisë për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve ekonomike dhe ambientale.
Ai ka ligjëruar për të drejtën dhe procedurën penale, si edhe për të drejtat ndërkombëtare të njeriut në universitete të ndryshme në Norvegji dhe jashtë.