Ish-deputeti i VV-së godet Lëvizjen: Kanë faj po aq sa të tjerët për heqjen e reciprocitetit, po viktimizohen
Njëri ndër përkrahësit e dikurshëm të Albin Kurtit, Fisnik Ismaili ia ka kushtuar një shkrim të gjatë Vetëvendosjes dhe ish-Kryeministrit që qeverisi veç 44 ditë Kosovën.
Fisnik Ismaili, ish-deputet i Vetëvendosjes ka thënë se Albin Kurti u dorëzua dhe po shitet viktimë për të marrë përkrahjen më të madhe popullore.
‘… Më lehtë është me u dorëzue e me u shitë viktimë, sesa me i grahë! Në vend se mos me e lanë LDK-në me e prue gjendjen këtu, shkon e nxitë LDK-në me e ba pikërisht këtë send, edhe masnej dy muej rresht i quen tradhtarë”, ka shkruar Ismaili.
Lëvizja Vetëvendosje dhe përkrahësit e saj kishin paralajmëruar rezistencë ndaj largimit të Kurtit nga pozita e Kryeministrit. Strategjia e tyre ka ndryshuar. Tash po kërkojnë rikthimin e liderit të VV-së në Qeveri përmes peticionit.
“Kur pati naj peticion efekt, allahile, që po mytni tuj dalë në syreta me kimika n’dorë? A i shkuem në Kuvend me gjysë shleperi nënshkrime kundër demarkacionit? 203 MIJË nënshkrime..A e din çka është kjo për mue? Lojë e poshtër politike”, ka shtuar ai.
Vetëvendosje është transformur në parti politike kur vendosi të garojë në zgjedhjet e vitit 2010. Para se të futeshin në politikë bënin thirrje për të mos dalë në votime.
Partia e Albin Kurtit ka qenë organizatore e shumë protestave.
“Strategji E NJAJTË si nëpër protesta. Në çdo protestë Lëvizja i ka ngucë policët, i ka shajtë e gjue me gurë, tuj e dijtë që ata reagojnë e iu hyjnë dajak, masnej i qitke njerëzit e përgjakun në TV e me fitue popullaritet si viktima”, ka shkruar Ismaili.
Ky ish-deputet thotë se strategjia e VV-së për viktimizim nuk i kryen punë shpejt pasi duhet edhe disa palë zgjedhje për të arritur synimin e 51 për qind të votave.
“Po, e vërtetë që qajo ia ka rritë popullaritetin gradualisht, tuj i shti njerëzit në gjynah, amo prej qeti populli me pritë që nji ditë ka me ti jepë 51% tuj u shitë nonstop viktimë, që në fund me ba çka të duesh, pak problem, valla. Ndoshta mas nja 3-4 zgjedhjeve tjera. Deri atëherë, duhesh mi grahë me koalicion, e me kallxue që ki koqe një ditë me e mbajtë bajrakun vetë”, ka shtuar ai.
Lëvizja Vetëvendosje qëndroi në pushtet më pak se dy muaj. U rrëzua Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti me votat e 2/3 e votave të deputetëve.
Tash prapë ka dalë në opozitë. Udhëheq me komunën e Prizrenit.
Albin Kurti ka paralajmëruar tubim të madh më 12 qershor në sheshin kryesor të Prishtinës.