Ish ambasadori tregon se si Hoxhaj u kishte premtuar bursa studentëve të Fixhit
Ish-ambasadori i Kosovës në Austri dhe në Australi, Sabri Kiçmari, ia ka plasuar ish-ministrit të Jashtëm, tash zëvendëskryemisnitër, Enver Hoxhajt, si fakt, shkrimin e një gazete në Fixhi që citonte këtë të fundit të ketë premtuar bursa për studentët e këtij shteti, në rast të njohjes së Kosovës.
Ka marrë shkas për këtë nga pyetja që gazetari Adriatik Kelmendi ia kishte bërë Hoxhajt së fundi në Rubikon të KTV-së, në lidhje me deklarimet e Kiçmarit, se Hoxhaj ka bërë premtime para shteteve të caktuara, të cilat nuk i ka mbajtur.
“Ai nuk e pranoi një gjë të tillë dhe kërkoi t’i dëshmohet. Po e ndaj me ju një premtim të tij të pambajtur, që është citat nga një gazetë e Fijit ‘Fiji Sun’, e datës 27. Gusht 2012, e cila shkruan se Ministri Hoxhaj ka premtuar 20 bursa për studentë të Fixhit”, ka shkruar Kiçmari, duke plasuar edhe linkun në origjinal të gazetës.
Më tutje, Kiçmari ka kritikuar Hoxhajn edhe për ato që i ka quajtur fraza paradoksale.
E ka pyetur se s’i mund të kërkojë njohje të shtetit, derisa Hoxhaj thotë se Kosova nuk e ka përmbyllur shtetësinë.
Lexojeni të plotë komentin e Kiçmarit:
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj në intervistën e pardjeshme në Rubikon, dhënë gazetarit Adriatik Kelmendi, përsëritit disa herë frazat e mëposhtme politike: “Por, shtetësia jonë nuk është rrumbullakuar, se nuk jemi ende shtet anëtar i OKB …. Kosova synon që ta përmbyll shtetësinë ….Nëse ka vullnet politik për ta përmbyll shtetndërtimin e Kosovës, për ta kompletue sovranitetin e Kosovës ….Që ta përmbyllim shtetndërtimin, që ta kompletojmë sovranitetin….Ne në 2017 kemi pasë zgjedhje, kemi folë per zhvillime të mëdha, për përmbyllje të shtetndërtimit ….Në pranverë 2019 duhet ta përmbyllim shtetndërtimin e Kosovës.”
Çfarë mund të konstatohet nga këto fraza të tij politike?
Formulimet e zotit Hoxhaj janë tejet paradoksale për një Zëvendëskryeminsitër dhe ish Ministër të Jashtëm. Nga këto fraza rezulton se Kosova nuk konsiderohet prej tij si shtet me shtetësi të rrumbullakuar dhe të përmbyllur. Nga këto fraza politike mund të konstatojmë se z. Hoxhaj mendon se Kosova nuk e ka përmbyll shtetndërtimin dhe as nuk e ka kompletue sovranitetin e saj. Pra, rrjedhimisht, z. Hoxhaj nuk e konsideron Republikën e Kosovës shtet me sovranitet.
Nëse ai nuk e konsideron shtet me sovranitet, si mund të bind vendet tjera për të na njohur, kur vet nuk është i bindur?
Përgjigjien në këto dilema të tij, në fakt e kanë dhënë SHBA, MB, RFGJ, Franca, Italia dhe shumë vende tjera anë e kënd globit, të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran: pra me shtetësi dhe sovranitet të plotë dhe të përmbyllur.
Absurdi i dytë është ndërlidhja e shtetësisë së Republikës së Kosovës me anëtarësimin në OKB. Duket që z. Hoxhaj nuk e merr parasysh Konventën e Montevideos, e cila i ka përcaktuar parakushtet e shtetësisë: popullsi të përhershme, territor të definuar, një qeveri efektive dhe aftësia për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera. Që nga 17. Shkurti 2008 Republika e Kosovës i plotëson këto parakushte. Anëtarësimi në OKB nuk është parakusht i shtetësisë. Ja disa shembuj për z. Hoxhaj dhe gjithë të interesuarit për Marrëdhënie Ndërkombëatre: Zvicra nuk ka qenë anëtare në OKB deri në vitin 2002, por askush nuk e ka konsideruar se e ka të papërmbyllur shtetësinë dhe sovranitetin. E njëjta gjë vlen për Kinën, e cila është pranuar në OKB në vitin 1971, Gjermaninë, e pranuar në OKB në vitin 1973, Irlandën, Portugalinë, Shqipërinë, Bullgarinë, Hungarinë, të pranuara në OKB në vitin 1955 etj. etj.
I pyetur nga gazetari Adriatik Kelmendi në lidhje me deklarimet e mia se z. Hoxhaj ka bërë premtime para shteteve të caktuara, të cilat nuk i ka mbajtur, ai nuk e pranoi një gjë të tillë dhe kërkoi ti dëshmohet. Po e ndaj me ju një premtim të tij të pambajtur, që është citat nga një gazetë e Fijit “Fiji Sun”, e datës 27. Gusht 2012, e cila shkruan se Ministri Hoxhaj ka premtuar 20 bursa për studentë të Fixhit
Linku i gazetes se Fixhit:
The Kosovo Government is offering 20 scholarships for Fijian students to study in Kosovo.
This offer was made to the Minister for Foreign Affairs and International Co-operation, Ratu Inoke Kubuabola by his counterpart from the Republic of Kosovo, Enver Hoxhaj during their bilateral meeting at the Westin Denarau in Nadi last week.” /FaktePlus