Isa Mustafa tregon a do të bëhet president
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje do të merren vesh edhe për postin e presidentit se kujt do t’i takojë, pas përfundimit të mandatit të Hashim Thaçit.
Kreu i LDK-së Isa Mustafa, ka thënë se ai nuk e ka shprehur asnjëherë se dëshiron postin e presidentit, porse do të merren vesh me VV-në se kush do ta propozojë kandidatin për postrin me të lartë shtetëror, pasi t’i përfundon mandati, presidentit Thaçi.
“Tash sa i përket asaj, po e shoh që po bëhet shumë zhurmë për presidentin. Nuk e kemi në rend dite çështjen e zgjedhjes së presidentit. E kemi në rend dite zgjedhjen e Qeverisë dhe konstituimin e Kuvendit. Mirëpo, të gjitha çështjet që do të dalin në këtë periudhë katër vjeçare duhet të diskutohet nga partnerët, dhe duhet të diskutohet edhe për presidentin. Unë në asnjë rast nuk kam kërkuar që të jem president..Ne tash do të merremi vesh kush do të propozojë kandidatin për president pas një viti e gjysmë”, ka theksuar Mustafa.
Në këtë konferencë ish kryeministri Mustafa ka thënë se flasin me Vetëvendosjen edhe për çështjen e dialogut, i cili duhet të mbetet në Qeveri dhe do ta inkurajojnë që të vazhdojë ai, pasi s’ka alternativë tjetër.
“Ne s’kemi pse të ndihemi keq edhe për çështjet e dialogut. Ne parimisht kemi thënë se e përkrahim dialogun sepse është e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur problemet. Por përgjegjësia për dialogun do të mbetet në Qeveri, te kryeministri dhe kabineti qeveritar. Ne do ta inkurajojmë kryeministrin e ardhshëm që ta vazhdoj dialogun”, është shprehur ai.
Ekipet e LDK-së dhe VV-së për fusha si drejtësia, arsimi, shëndetësia e tjera, janë takuar disa herë për t’i harmonizuar programet për qeverisjen e ardhshme. /FaktePlus