Irani ndalon vaksinat amerikane dhe britanike kundër Covid-19, s’iu beson
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, njoftoi se vendi i tij e ka ndaluar importimin e vaksinave britanike dhe amerikane kundër koronavirusit, duke thënë se ai nuk u beson këtyre dy shteteve.
“Importet e vaksinave amerikane dhe britanike në vend janë të ndaluara. Ua kam thënë këtë zyrtarëve dhe po e them këtë publikisht tash”, tha Khamenei, i cili e ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet në republikën islamike.
“Vërtet nuk u besoj Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë. Ato nganjëherë duan t’i testojnë vaksinat e tyre në shtetet tjera”, shtoi ai.
Sipas tij, Irani mund të sigurijë vaksina kundër koronavirusit nga vende të tjera që u beson dhe i vlerësoi lart përpjekjet e shkencëtarëve vendës për zhvillimin e vaksinave, shkruan Free Europe,
Ndryshe, Irani është shteti më i prekur nga pandemia e koronavirusit në Lindjen e Mesme. Ky shtet ka regjistruar mbi 1.2 milion persona të infektuar dhe rreth 56.000 viktima.
Sidoqoftë, analistët e kanë vënë në pikëpyetje saktësinë e këtyre shifrave dhe shumë besojnë se ato mund të jenë dukshëm më të mëdha në të vërtetë.