Ipko paralajmëron klientët: Nesër do të ndodhë ndryshimi i madh
Operatori i telefonisë mobile në vend, Ipko ka paralajmëruar klientët e vet se me 1 Qershor mund të kenë pengesa të mëdha për shkak se do të implementohet në tërësi kodi i ri shtetëror nga +383.
Në njoftimin për media Ipko, ka thënë se është në fazën e fundit të zbatimit të kodit shtetëror pas disa vitesh angazhimi intensiv në arritjen e përfaqësimit të plotë të Kosovës dhe të detyrimeve të saj shtetërore në fushën kombëtare dhe ndërkombëtare të telekomunikimeve.
Njoftimi plotë i kompanisë Ipko:
I nderuar klient,
IPKO është në fazën e fundit të zbatimit të kodit shtetëror pas disa vitesh angazhimi intensiv në arritjen e përfaqësimit të plotë të Kosovës dhe të detyrimeve të saj shtetërore në fushën kombëtare dhe ndërkombëtare të telekomunikimeve.
Hapi përfundimtar i këtij ndryshimi të madh do të ndodhë të shtunën, më 01 Qershor, në orët e hershme të mëngjesit. Për shkak të madhësisë së këtij ndryshimi, mund të paraqiten disa pengesa edhe gjatë disa ditëve të ardhshme pas migrimit. Duke marrë parasysh rëndësinë dhe domethënien e këtij projekti për vendin, ju lusim për mirëkuptimin, durimin dhe mbështetjen tuaj në këtë proces.
Në rast se ky ndryshim ju afekton gjatë procesit, ju lutemi gjeni më poshtë hapat që duhet të ndiqni nëse jeni brenda apo jashtë vendit:
Jam në Kosovë dhe nuk kam rrjet. Çfarë duhet të bëj?
Hapi 1 – Ristartoni telefonin dhe kontrolloni nëse jeni rilidhur në rrjet (Shënim: nëse lidheni në mënyrë manuale, ju lutemi zgjedhni IPKO ose 221 02 si rrjetin tuaj).
Nëse ende nuk keni rrjet:
Hapi 2 – Ndizeni telefonin tuaj. Me telefonin e ndezur, largoni kartën SIM dhe pastaj vendoseni përsëri në telefon. Nëse telefoni ju kërkon ta ristartoni, ju lutem ristartojeni (edhe në këtë rast, nëse lidheni në mënyrë manuale, ju lutem zgjedhni IPKO ose 221 02 si rrjetin tuaj).
Nëse ende nuk keni rrjet:
Hapi 3 – Kontaktoni Qendrën e Thirrjeve të IPKO-s në numrin 049 700 700 ose na kontaktoni përmes emailit ne info.
Jam në Kosovë dhe jam lidhur në rrjet por nuk mund ta shfrytëzoj internetin në mobil. Çfarë duhet të bëj?
Hapi 1 – Ju lutemi, kontrolloni nëse ‘APN name’ është i vendosur në IPKO. Nëse jo, ju lutemi shkruani IPKO dhe kontrolloni se a mund ta shfrytëzoni internetin në mobil.
Hapi 2 – Nëse e keni vendosur ‘APN name’ në IPKO por ende nuk mund ta shfrytëzoni internetin në mobil, ju lutemi ristartojeni telefonin tuaj.
Hapi 3 – Nëse i keni përfunduar hapat 1 – 2 por ende nuk mund ta përdorni internetin në mobil, ju lutemi kontaktoni Qendrën e Thirrjeve në numrin 049 700 700 ose dërgoni email në info.
Jam jashtë Kosovës, në roaming dhe nuk kam rrjet. Çfarë duhet të bëj?
Hapi 1 – Ju lutemi, zgjedhni në mënyrë manuale një nga operatorët me të cilët ne tani kemi marrëdhënie të drejtpërdrejta të roamingut të vendosura si operator i Kosovës. Lista e operatorëve të mundshëm mund të kontrollohet në web faqen e IPKOS duke zgjedhur vendin në të cilin jeni në roaming. Ju mund të kontrolloni edhe mesazhet (SMS) që u janë dërguar nga IPKO, ku njoftoheni për operatorët partnerë në këtë vend. Nëse ende nuk jeni lidhur në rrjet, ju lutem ndiqni hapin 2.
Hapi 2 – Nëse nuk ka asnjë operator në listë në vendin që po vizitoni, fatkeqësisht nuk do të keni mundësi të shfrytëzoni shërbimin roaming në atë vend, derisa operatorët nga ai vend të bëjnë ndryshimet në sistemin e tyre të rrjetës dhe të hapin rangun për kodin shtetëror të vendit tonë, 383.
Hapi 3 – Nëse e keni zgjedhur një operator nga lista, por ende nuk mund të lidheni me rrjet, mund të ndodhë që operatori në vendin të cilin po e vizitoni ende nuk i ka zbatuar ndryshimet e nevojshme për të mbështetur procesin e ndryshimit të kodit shtetëror në Kosovë. Ju lutemi, shtypni *770# dhe brenda një kohe të shkurtër do të pranoni një thirrje nga Qendra për Kujdesin ndaj Konsumatorit. Ju njoftojmë që ky proces mund të zgjasë, varësisht nga reagimi i operatorit tjetër.
Ju falënderojmë edhe njëherë për durimin dhe mirëkuptimin tuaj në këtë proces kompleks!