IPK fillon analizimin për të parë nëse Policia neglizhoi në rastin e Abid Jasharit
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka konfirmuar të shtunën për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se ka filluar fazën e analizimit lidhur me ecurinë e veprimeve policore në rastin e tashmë të vrarit Abid Jashari.
E që Abid Jashari kishte paralajmëruar kërcënimin për vrasje në mbrëmjen e së enjtes e ka pranuar edhe Policia e Kosovës, e cila përmes një komunikate ka treguar gjithë ngjarjen me të ndjerin Jashari. LEXO KETU.
Inspektorati Policor i Kosovës bëri të ditur të shtunën se ka pranuar nga Policia e Kosovës një raport lidhur me ecurinë e këtij rasti.
Ky raport edhe është përcjellë në Departamentin për Menaxhimin e Ankesave në IPK dhe tani është në fazën e analizimit.
“Ky raopor është përcjellë në Departamentin për Menaxhimin e Ankesave dhe është në fazën e analizimit. Varësisht nga të gjeturat që do të dalin nga ky proces, Inspektorati Policor i Kosovës do të veprojë në kuadër të autorizimeve ligjore për të vlerësuar veprimin apo mosveprimin e zyrtarëve policorë në këtë rast”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për FaktePlus.
E, për këtë rast zëvendësdrejtori i Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftari thotë se është obligim i mekanizmave të shtetit që të shqyrtojnë e vlerësojnë nëse zyrtarët nga Policia e Kosovës kanë vepruar në bazë të procedurave standarde dhe nëse të njëjtit i kanë përmbushur obligimet dhe përgjegjësitë e përcaktuara me ligj.
Ai ka theksuar se bazuar në ligjet e aplikueshme, Policia e Kosovës, e ka për obligim t’i përgjigjet secilit njoftim për veprat ose kërcënimet e dhunës në familje.
“Sikurse, Policia e Kosovës, respektivisht Shefi i njësitit rajonal të Policisë së Kosovës kundër dhunës në familje, mund të shqiptojë urdhrin për mbrojtje të përkohshme emergjente dhe të caktojë masa adekuate të mbrojtjes kur ekzistojnë baza për të besuar se kryesi ka kryer ose është kërcënuar se do të kryejë ndonjë vepër të dhunës në familje apo kryesi i dhunës paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të atypëratyshëm për sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e palës së mbrojtur ose të personit me të cilin pala e mbrojtur ka lidhje familjare, të cilët duhet të mbrohen me anë të urdhrit për mbrojtje”, ka shpjeguar Miftari për FaktePlus.
Kujtojmë se Abid Jashari më 27 shkurt në orën 11:30 vritet derisa po voziste veturën në një rrugë të kryeqytetit afër objektit të Shkollës Teknike. Kjo vrasje është thënë se erdhi pas mosmarrveshjeve e zënkave që kanë pasur më një mik të tij. Aktualisht policia po e mban të arrestuar Besnik Shkodrën si të dyshuar kryesor për këtë vrasje./FaktePlus