Investim prej mijëra euro për shkollën pa rrugë
Komuna e Fushë Kosovës ka bërë një investim prej mijëra euro për ndërtimin e një aneksi në shkollën fillore “Mihail Grameno”. Por, këtë investim nuk kanë pasur mundësi ta shohin nga afër dje nxënësit e mësimdhënësit, pasi nuk kanë mundur të hyjnë në oborrin e shkollës. Kjo për faktin se komuna nuk ka planifikuar një rrugë përmes së cilës mund të hysh e dalësh nga shkolla.
Atje ditën e djeshme fëmijët dhe mësimdhënësit e kanë pasur të pamundur të hyjnë në oborrin e shkollës. E kjo duket se është me faj të komunës së Fushë Kosovës, e cila nuk ka planifikuar rrugën nga mund të hysh në shkollë.
Edhe pse për shkollën në fjalë më parë ishte përdorur një rrugë, ajo dje është bllokuar nga pronari i një fabrike aty afër, pasi që pretendon se toka është pronë e tij. Për këtë çështje që dy ditë rresht afër kësaj shkolle kanë qëndruar edhe pjesëtarë nga Policia e Kosovës.
Vetë pronari i fabrikës “Artaluminium”, Shaban Muja, ka treguar arsyen pse e kishte bllokuar rrugën, e cila të shpie për në shkollë.
Ai i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se rruga e përdorur deri më tani është pronë e tij dhe se për këtë ka dokumentacionet që e vërtetojnë.
Pavarësisht kësaj, Muja pohon se për hatër të banorëve, nxënësve e mësuesve, e ka lëshuar një hapësirë për t’u shfrytëzuar si rrugë për shkollë. Ai thotë se 2.5 metra është tërhequr nga pika kufitare me pjesën e shkollës.
“Realisht unë kam ikë 2.5 metra prej mexhës time. Unë i kam të gjitha dokumentet që prona ime është deri atje, por kam dëshiruar të bëjë mirë dhe kam lëshuar rrugë. Ma herët komuna më ka lutë ta lëshojë pak rrugë për udhëtarë, nuk e kam diskutuar dhe kam lëshuar 2.5 metra banorëve e deri 9 ari edhe shkollës”, ka pohuar Muja.
Mirëpo, Muja e ka arsyetuar rrethimin e pronës së tij. Sipas tij, ka qenë arsyeja se nxënësit mund të lëndohen afër fabrikës së prodhimit të aluminit.
“Kam biseduar edhe me kryetarin për këtë punë, por për shkaqe sigurie unë e kam bllokuar, sepse shkolla është afër edhe fëmijët nuk dëshiroj të lëndohen afër kompanisë time, sepse kompania punon me alumin. Unë jam ikë prej mexhes edhe pse nuk kam asnjë marrëveshje. Ka ndodhur që shumë herë veturat që janë parkuar në oborrin e kompanisë time nuk u kam thënë sen, por që tash e kam kufizuar pronën time”, është shprehur Muja.
E për këtë problem që është shfaqur ditëve të fundit janë arsyetuar zyrtarë nga Komuna e Fushë Kosovës. Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Islam Shabani ka pohuar se çështja në fjalë tashmë ka shkuar në zyrën e kryetarit dhe se së shpejti do të gjinden një zgjidhje.
“Atje është një kontekst mes neve, pra komunës dhe pronarit të asaj kompanie. Ai po thirret se i ka të gjitha dokumentacionet se prona e tij është deri në atë pjesë. Ne e kemi pozicionin tjetër se ajo pronë është shtetërore ende e parregulluar. Mund t’u them se e kam njoftuar kryetarin e komunës dhe ai e ka thirr pronarin në takim për të biseduar rreth kësaj çështjeje. Ne besojmë se do të gjejmë mirëkuptim me të, sepse si shkollë jemi bllokuar. Kemi shumë problem nëse ajo rrugë do të mbetet e bllokuar”, ka thënë Shabani për FaktePlus.
Kurse vetë drejtori i shkollës “Mihail Grameno”, Sadri Emini ka thënë se rruga e cila të shpie në oborrin e shkollës, është ngushtuar dhe se është një problem që duhet zgjidhur.
Ai tha se pret nga komuna që të ndërmarrë sa më parë hapa dhe të bëhet një zgjidhje.
Ndryshe në komunën e Fushë Kosovës vitet të fundit është rritur vrullshëm fluksi i ndërtimeve të banesave të shumta. Ky ndërtim i madh ka shkaktuar probleme në infrastrukturë. Për pushtetin e Fushë Kosovës janë dhënë kritika se nuk ka menduar shumë pak për hapësira gjelbëruese, ani pse premtimet ishin të bëhej një gjë e tillë./FaktePlus