Interesimi i ambasadave të huaja për zgjedhjet në veri
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka akredituar gjatë mbledhjes së djeshme 464 vëzhgues për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 19 majit në katër komunat veriore.
Në fakt, zyra e KQZ-së ka proceduar aplikacionet e vëzhguesve të 2 partive politike, 2 misioneve ndërkombëtare, 1 komision evropian, 2 misione diplomatike, 12 ambasada, 1 OJQ ndërkombëtare, 4 OJQ vendore, 15 media me gjithsej 464 vëzhgues.
Interesim të madh për t’i mbikëqyrë zgjedhjet në veri kanë shfaqur ambasadat e huaja dhe organizatat evropiane. Janë akredituar 12 ambasada të huaja dhe dy zyre ndërlidhëse.
Është Ambasada e Amerikës, Suedisë, Francës, Belgjikës, Kroacisë, Sllovenisë, Bullgarisë, Finlandës, Gjermanisë, Çekisë, Hungarisë, Norvegjisë, si dhe zyra ndërlidhëse e Greqisë dhe Sllovakisë.
Prej organizatave të huaja, vëzhgues ka akredituar edhe Komisioni Evropian, Zyra e BE-së dhe EULEX-i.
Ndërkaq për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të vitit 2017, vetëm tetë ambasada patën akredituar vëzhgues, në nivel të Kosovës.
Në zgjedhjet e së dielës më 19 maj 2019, në katër komunat në pjesën veriore numri i qytetarëve me të drejtë vote është 57 983 votues, apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017. Ndërkaq, numri i qendrave të votimit është 44 me gjithsej 87 vendvotime.
Kujtojmë se më 26 nëntor të vitit të kaluar, katër kryetarët e komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok, dhe Leposaviq, kanë dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie për vendosjen e taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe.
Madje, në dorëheqjet e tyre, kryetarët e këtyre komunave, Kosovës i ishin referuar me termin “Kosovë e Metohi”./FaktePlus