Instituti i Mjekësisë Ligjore s’ka buxhet për gërmime në Serbi
Gjatë vitit 2019 nga 27 lokacione në Kosovë dhe tri lokacione të gërmuara në Serbi për mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit janë gjetur vetëm 10 trupa, të cilët iu janë dhënë familjarëve.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se në ditët në vijim do të bëhen edhe disa ribashkime, pas gjetjeve të fundit.
“Gjatë vitit 2019 janë hapur 27 lokacione në Kosovë dhe tre lokacione kontrolluese në Serbi. Prej 27 lokacioneve ka rezultuar me 10 gjetje të trupave të cilët iu janë dhënë familjarëve. Në këtë kohë kanë ndodhur rreth 18 ribashkime të pjesëve të cilat janë gjetur më vonë që duhet t’i paraqesin familjarët”.
“Të gjithë trupat që janë identifikuar janë dërguar në familjet e tyre. Janë duke punuar rastet të cilat i kemi hapur lokacionin 27 në Zveçan në pjesën veriore të Mitrovicës. Të njëjtat janë duke punuar në aspektin ligjor dhe antropologjik”.
“Kemi disa ribashkime të cilat duhet të ndodhin gjatë ditëve në vijime. Duhet të merremi edhe me pjesën e 300 mbetjeve mortore të cilat janë në murgë e që nuk ndërlidhen me kohën e luftës por me kohërat me të vjetra, që lidhen me kohën e Rankoviçit ose luftës së parë botërore. Ne jemi të numri 1648 edhe pse kemi filluar më vonë. Por varet prej regjionit se ku punohet”, u shpreh Gërxhaliu.
Gërxhaliu potencoi se situata e fundit politike e ka stagnuar punën e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Mes tjerash, Gërxhaliu thotë ai se i mungon buxheti për takimet jashtë Kosovës, siç thotë ai Institutit i duhet të gjej kode tjera.
Përderisa Komisionit qeveritar iu dogjën një pjesë e mjeteve që nuk i shfrytëzoi.
“Situata politike e ka stagnuar punën për momentin që ne nuk e marrim rrugën apo takimin e grupit dialogues të Serbisë pa u konsultuar me institucionet tona. Instituti i Mjekësisë Ligjore ka buxhet një kontraktues i cili kryen punët e terrenit, por ka vetëm brenda Kosovës. Sa i përket udhëtimeve në Serbi me duhet të gjej kode tjera pasi Instituti nuk ka buxhet të ndarë për udhëtimin e mjekëve dhe stafit jashtë Kosovës”.
“Kjo problematik kronike është prezentë pasi brenda për brenda dikastereve tona thuhet se punëtorët nuk mundet t’i paguaj një dikaster tjetër edhe pse në komisionin qeveritar iu digjet një shumë e madhe e mjeteve që nuk shfrytëzohen brenda vitit sa kanë buxhet”, ka thënë Gërxhaliu.
Gërxhaliu thotë se ballafaqimi me palën serbe nuk është i lehtë, raporton EO.
“Jam pjesë e grupit punues që nga pas lufta, e dimë se nuk është e lehtë ballafaqimi me palën serbe. Kur të ulësh në tavolinë dialoguese ndajmë letrat në tavolinë”.
“Edhe ata i kanë kërkesat e tyre, e njëjta gjë monitorohet edhe nga ndërkombëtaret. Nuk ka ndonjë ecje progresive më të cilën do të ketë rezultate”, shtoi ai.
Ai ka treguar se në Rudinicë në Kizhevak të Serbisë është gërmuar gabimisht. Sipas tij, nga informata që kanë marrë nga dëshmitarët, është vërejtur se punimet janë kryer në vend të gabuar./FaktePlus