Institucionet publike, borxh deri në fyt në ujësjellës
Ndonëse shumica e institucioneve qendrore e lokale në Kosovë shpeshherë kanë bërë kushtëzime dhe nuk lëshojnë asnjë dokument për qytetarët që nuk i paguajnë shërbimet e ndryshme komunale si p.sh. ndaj Ujësjellësit, vetë institucionet kanë hiç me pak se mbi 3 milionë euro borxh për harxhimin e ujit.
Kompanisë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, i ka dalë problem me institucionet publike, veçanërisht me institucionet të cilat janë duke u menaxhuara nga AKP-ja e që janë në procedura të privatizimit dhe të likuidimit.
Nga kjo kompani, kanë bërë me dije për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se janë dhjetëra institucione të cilat nuk kanë kryer obligimin ndaj Ujësjellësit “Prishtina”.
Zëdhënësja e kompanisë, Arjeta Mjeku ka numëruar institucionet të cilat ende nuk kanë paguar borxhin, e lista e tyre është mjaft e gjatë.
Ajo tregon se borxhi ka arritur shifrën e mbi 3 milionë eurove.
“Borxhi i institucioneve publike ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit aktualisht është 3.077.018,00 €. Me borxhe prijnë institucionet të cilat janë të menaxhuara nga AKP-ja dhe janë në procedura të privatizimit dhe të likuidimit. Gjithashtu, borxhe të mëdha kanë edhe institucionet shkollore dhe ato parashkollore, për shkak të mbylljes së buxheteve para vitit të ri”, është shprehur Mjeku për FaktePlus.
Borxhlinj më të mëdhenj janë Pallati i Rinisë dhe Sporteve, Palestra Sportive, ish- Fabrika e Amortizatorëve, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (Parku i Biznesit në Korreticë të Drenasit), Fabrika e Armaturës “Fan” në Podujevë, mandej Motel “Besiana” në Podujevë, Fabrika e Tjegullave në Prishtinë, ish- kompania Hoteliere “Slloga” në Prishtinë, KosovaTrans në Prishtinë, Shtëpia e Kulturës në Prishtinë dhe ish- Shtëpia e Mallrave në Prishtinë.
Aspak më mirë me obligime të pakryera ndaj ujësjellësit, nuk qëndron edhe Këshilli i Bashkësisë Islame (BIK).
Borxh për ujin e harxhuar kanë thujse të gjitha xhamitë, pasi ato nuk kanë kryer obligimin e pagesës së faturave.
“Këshilli i Bashkësisë Islame (Këtu hyjnë të gjitha xhamitë ),Tregu i ri dhe Tregu i gjelbër në Prishtinë, Ndërtimtaria “Kek ing trans.hekurudho”, dhe ndërtimtaria Kek fshati Dardhishtë, janë po ashtu borxhlinj të Ujësjellësit”, ka thënë Mjeku.
Kompania Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj institucioneve të cilat nuk kryejnë këto obligime.
Ndërkohë nuk janë vetëm institucionet publike të cilat janë me borxh në këtë kompani. Kështu me borxhe të mëdha janë edhe një numër i madh i qytetarëve të vendit, të cilët nuk kryejnë pagesën e faturave të ujësjellësit.
Borxhi total ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, përfshirë sektorin e amvisërisë pra konsumatorin shtëpiak dhe bizneset e vogla e të mëdha, aktualisht është 40 milionë e 857 mijë euro.
Zëdhënësja e Kompanisë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, Arjeta Mjeku ka thënë se në bazë të dendësisë së konsumatorëve ku ujësjellësi jep shërbimet e tij, me borxhet më të mëdha prinë Prishtina me zonat përreth./FaktePlus