Institucionet me marrëveshje për ngritjen e sigurisë në sektorin bankar
Katër bartës të institucioneve kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi të premten me qëllim të ngritjes së sigurisë në sektorin bankar të Koosvës.
Nënshkrues janë guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti me ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa e drejtorin e Policisë së Kosovës, RashitQalaj, si dhe drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija.
Kjo marrëveshje u nënshkrua si rezultat i takimeve të mëhershme të zhvilluara me përfaqësues të këtyre institucioneve, në të cilat u diskutua për shqetësimet rreth dukurisë së plaçkitjes së institucioneve financiare në Kosovë.
“Marrëveshja ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit për ngritjen e nivelit të sigurisë në sektorin bankar në mënyrë që bankat, personeli i tyre dhe qytetarët të kenë një ambient sa më të sigurt për zhvillimin e aktivitetit të tyre”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Me këtë rast, guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka falënderuar institucionet e angazhuara në arritjen e kësaj marrëveshjeje për bashkëpunimin dhe masat e ndërmarra me qëllim të ofrimit të një ambienti më të sigurt për institucionet financiare që operojnë në Kosovë.