Inspektorati e kthen në punë, Ibrahimi tregon kur e merr përsëri “timonin” e Trepçës
Rreth dy muaj më parë Bordi i Përkohshëm i Ndërmarrjes “Trepça” shkarkoi nga pozita e kryeshefit të kësaj ndërmarrjeje, Basri Ibrahimin. Kështu ky i fundit iu bashkua radhës tjetër të personave që shkarkoheshin nga Qeveria e drejtuar prej Albin Kurtit.
Por sikur në disa raste tjera, dje Inspektorati i Punës e ka vlerësuar si të bazuar ankesën e Ibrahimit dhe e ka obliguar Bordin e Përkohshëm Mbikëqyrës të Drejtorëve të “Trepçës” që ta kthej në punë atë.
E ky vendim ishte i pritshëm dhe i pashmangshëm për Ibrahimin, meqë siç tha ai për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus s’ka pasur asnjë lloj arsyetimi të bazuar për shkarkim.
“Është e saktë që Inspektorati i Punës e ka nxjerr një vendim dhe ka shfuqizuar vendimin e Bordit Mbikëqyrës të Përkohshëm që të kthehem në vendin e punës dhe kjo ka qenë e pritshme dhe pashmangshme sepse shkeljet ligjore në atë vendim kanë qenë absolute që nuk ka pas mënyrë tjetër përveçse të nxjerr një vendim tjetër në favorin tim në ankesën që kam bërë ndaj vendimit të Bordit Mbikëqyrës të Trepçës Sh.A”, tha ai për FaktePlus.
Pas këtij vendimi të Inspektoratit të Punës, Bordi i Përkohshëm mund të bëjë ankesë brenda 8 ditësh. Por Ibrahimi thotë se nuk do të duhej të bëhej ankesë pasi që vendimi është i qartë.
Madje, Ibrahimi tha se shkarkimi i tij nuk ka pas bazë ligjore dhe se gjithçka ka qenë politike.
“Tani palët në procedurë kanë dy opsione që të zbatojnë vendimin e inspektoratit, ose të bëjnë ankesa në shkallë të dytë. Për mendimin tim ata nuk do të duhet të bëjnë ankesë në shkallë të dytë sepse është krejtësisht e qartë sepse atë q ë e kam thënë kur jam shkarkuar se ka qenë një shkarkim politik. Por nga ana tjetër edhe një trup që nuk ka pas kuorum. Mirëpo proceduralisht është e mundshme dhe unë po pres raportin gjatë javës nga bordi se ata kanë 8 ditë të drejtë ankese dhe po e pres këto tetë ditë çka të veprojnë. Mundësia është ose të zbatojnë vendimin ose të bëjnë ankesë në shkallë të dytë”, potencoi Ibrahimi.
E në këtë rast Ibrahimi ka ritheksuar nevojën e Minierës së “Trepçës” për mbështetje në mënyrë që të rimëkëmbet sa më parë.
Ai thotë se për të gjitha qeveritë, edhe për këtë që shkoi ka prezantuar projektet se si duhet të veprohet tutje.
“’Trepça në këtë gjendje çfarë është sot dhe me këtë teknologji e me këtë numër të punëtorëve të vjetruar që e ka, nuk ka mundësi të jetoj vetëm nga prodhimi. Prandaj, mbështetja nga ana e qeverisë është e pashmangshme, ose duhet të mendohet të bëhet një matje fizibiliteti dhe që të mendohet se çka duhet të bëhet me Trepçën”, tha ai.
Tutje ai tha se në gjendjen që gjendet aktualisht “Trepça” është e pamundur që të zhvillohet dhe të bëhet gjigant ekonomik për Kosovën.
“Në këtë mënyrë siç është ‘Trepça’ është e pamundur që të ec dhe të zhvillohet ashtu që secili prej nesh pret që kjo ndërmarrje të jetë një gjigant ekonomik, një shtyllë mbështetëse e Kosovës por vetëm në këtë gjendje çfarë është sot është e pamundur. Prandaj, Qeveria e re edhe pse nuk e di sa ka me pas kapacitet dhe sa ka me zgjatë por sido që të jetë sado që të jetë duhet të veproj seriozisht për transformimin e ‘Trepçës’ sepse ndryshe nuk mund të ecet përpara”, theksoi Ibrahimi.
Kujtojmë se minierat në Kosovë nuk kanë gjendje të mirë dhe po funksionojnë që sa vite vetëm sa për të mbijetuar. Madje shpesh ka ndodhur që minierat të mos munden të mbulojnë as pagesat e minatorëve, të cilët punojnë në kushte mjaft të rënda.
Ndërsa rreth një javë më parë në Minierën e “Artanës” dy minatorë, njëri inxhinier e tjetri xehetar humbën jetën derisa ishin duke punuar.
Ish- kryeshefi i Trepçës, Basri Ibrahim thotë se me t’u rikthyer në pozitë do të shkojë për vizitë atje për të parë nga afër se si ka ndodhur e tëra.
“Kur ta marrë detyrën, një prej ditëve të para do të vizitoj Minierën e Kishnicës, në radhë të parë që t’i mbështesë punëtorët atje që kanë humbur kolegët e tyre dhe njëkohësisht të shoh gjendjen si është dhe të shohim se si ka ardhur deri te kjo gjendje edhe pse e di që ata njerëz janë të përgjegjshëm për punë ne tyre”, përfundoi Ibrahimi.
Ndryshe, Vehbi Malaj nga Inspektorati i Punës në rajonin e Mitrovicës, në vendimin e marrë ka potencuar se Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës i Drejtorëve nuk kishte kuorum për marrjen e një vendimi të tillë, pasi, siç është thënë në vendim, ishin vetëm katër anëtar të Bordit e jo nëntë, siç parashihet me legjislacionin në fuqi.
Në vendimin e Inspektoratit të Punës përmenden edhe arsyet e shkarkimit, të cilat janë vlerësuar si të pabaza. Gjithashtu, në vendim thuhet se është shkelur Ligji i Punës.
Në mes të muajit të kaluar, Basri Ibrhaimi kishte bërë një kallëzim penal ndaj ish-ministres, Rozeta Hajdari dhe Bordit të Përkohshëm Mbikëqyrës.
Basri Ibrahimi para se të bëhej kryeshef ekzekutiv në “Trepçë” ishte kryeinspektor në Inspektoratin e Punës./FaktePlus