Inspektimi i ministrit te rrethi që ua “nxiu” jetën qytetarëve
Kolona të gjata po shkaktojnë punimet që janë duke u zhvilluar në zgjerimin e rrugës dhe ndërtimin e urës në Veternik, e përfundimi i këtyre punimeve nuk pritet të ndodhë deri në fund të muajit maj.
Punimet në këtë pjesë kanë filluar në muajin korrik të vitit të kaluar dhe ishte paraparë që të përfundojnë brenda 6 muajve, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Ministri i ri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, sot ka vizituar punimet që po bëhen aty.
Përgjatë kësaj vizite, ministri Abdixhiku deklaroi se punimet do të përfundojnë në fillim të muajit mars.
“Kam dalë për të inspektuar punët dhe për të parë dinamikën e re që duhet krijuar me qëllim të përfundimit të asaj që i them rrethrrotullim, por është qasje e disa rrugëve. Kemi paralajmëruar se dinamika varet nga kushtet atmosferike dhe sipas planit të punës planifikojë që të marrë fund rreth majit ne kemi pasur disa takime me zyrtarët dhe inxhinierin për të përshpejtuar këtë dinamikë se kjo është lidhje për kryeqytetin e çdo vonesë shkakton dëme për të, jo për shkak të kontraktimit, por për shkak të kushteve atmosferike. Mua më njoftuan se në fillim të marsit do të bëhet hapja e kësaj qasjeje, rreth një muaji nën kushtet e mira atmosferike”, tha Abdixhiku.
Kurse menaxheri i projektit, Zijadin Mehmeti tha se aksi kryesor Prishtinë-Ferizaj dhe autostrada, do të lirohen për qarkullim në fillim të marsit.
“Planifikojmë që në fillim të marsit të aktivizojmë aksin kryesor për qarkullim varësisht prej kushteve klimatike. Aksi kryesor Prishtinë-Ferizaj edhe autostrada do të lirohen”, tha ai.
Ndonëse ishte paraprë që projekti të përfundoj brenda gjashtë muajve, një gjë e tillë nuk ndodhi. Vonesa e këtyre punimeve po shkakton kolona të gjata duke u bërë kështu e padurueshme për qytetarët.
I gjithë projekti i rreth-rrotullimit në Veternik Ministrisë së Infrastrukturës i ka kushtuar hic më pak se 2 milionë e 500 mijë euro.