Inspeksioni në Prishtinë ua merr të dhënat 223 qytetarëve e pesë bizneseve për mos respektim të masave
Nga fillimi i kësaj jave kanë hyrë në fuqi masat e reja, për të parandaluar numrin e rasteve të prekura nga virusi corona në Kosovë. Mbyllja e lokaleve dhe ndalimi i qarkullimit nga ora 21:00 deri në 05:00, për disa komuna tashmë është duke u aplikuar. Njëra ndër to është edhe kryeqyteti i Kosovës,Prishtina, e cili vazhdon të prijë me numrin e rasteve të të prekurve nga Covid-19.
Jo të gjithë qytetarët janë shprehur të kënaqur me këto masa të reja dhe me këtë “mbyllje”, të pjesshme.
Mirëpo përkundër kësaj institucionet që janë të thirrura për ta parë nga afër dhe për të dhënë vërejtje aty ku nuk ka zbatim të këtyre masave, janë të vendosur në kryerjen e detyrës së tyre.
Drejtori i Inspekcionit në komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka treguar se inspekcioni çdo mbrëmje dhe gjatë ditës del në teren për të parë zbatueshmerinë dhe për të dhënë vërejtjet e tyre në bazë të ligjit për të gjitha ata që nuk përfillin masat e reja.
Tahiri ka treguar se tashmë kanë filluar edhe të shqiptohen gjoba në bazë të ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, duke thënë se ato variojnë nga 500 euro deri në 8 mijë euro, dhe se ato dallojnë varësisht shkeljes që bëhet dhe klasifikimit si person fizik apo person juridik.
“Gjatë kësaj jave (deri dje) janë marrë shënimet për procedurë të mëtutjeshme për 223 qytetarë dhe 5 biznese, përgjatë inspektimeve në terren bashkë me Policinë e Kosovës”, tha Tahiri për IndeksOnline.
Por se ku përfundojnë këto raste dhe si trajtohen këto gjoba, tregon tutje Tahiri.
“Secili rast procedohet me aktvendim të gjobës në gjykatë, përmes inspektoreve sanitare”, tha Tahiri.
Ai tutje theksoi se gjatë ditës së sotme situata është dukshëm më e mirë dhe se qytetarët kanë filluar të respektojnë masat.
Ndryshe në mbarë vendin numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më 14 korrik është gjithsej 2.462 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.663.