Inskenoi rrëmbimin e tij, arrestohet 20 vjeçari nga Drenasi
Një 20 vjeçar nga Drenasi, me inicialet A.G, e ka lidhur veten me ngjitës dhe fotografitë ia ka dërguar nënës së tij kinse ishte rrëmbyer.
Me t’i pranuar fotografitë, nëna e tij e kishte lajmëruar rastin në Stacionin Policor të Drenasit.
Por, atij plani nuk i kishte funksionuar mirë, pasi u zbulua nga Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës, konkretisht Stacioni i Drenasit, siç ka mësuar Demokracia.com, e ka zbuluar gjatë orëve të natës vendndodhjen e tij.
A.G., emër i njohur për redaksinë, i moshës 20 vjeçare, u gjet nga Policia e Kosovës në Parkun e Qytetit të Malishevës.
Ngjitësi me të cilin ishte lidhur i riu, sipas burimeve të Demokracia.com, ishte gjetur në rrugën “Çeliku”, në hyrje të fshatit Temeçinë.
Hetimet rajonale e zbuluan shumë shpejt se çfarë po ndodhë.
Është mësuar se kjo është hera e dytë që ky 20 vjeçar po inskenon “rrëmbim”, por herën e parë rasti nuk ishte lajmëruar nga familja e tij në Policinë e Kosovës.
I riu A.G. është arrestuar dhe atij i është caktuar masa e ndalimit 48 orë.
Prokurori për Krime të Rënda e ka cilësuar rastin si “Lajmërim apo Kallëzim i rremë”.
Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës është raportuar për këtë rast. Në raport thuhet se një grua e ka lajmëruar Policinë se persona të pa njohur i kishin rrëmbyer djalin e saj.