Iniciativa drejt finalizimit – Fushë Kosova së shpejti me teatër
Iniciativa e një grupi të artistëve së shpejti do të konkretizohet dhe rreth 40 mijë qytetarët nga komuna e Fushë Kosovës më në fund do të ketë mundësi të shijojnë shfaqjet teatrale në teatrin e qytetit të tyre.
Themelimi i Teatrit të Qytetit të Fushë-Kosovës tashmë ka marrë përkrahjen e nevojshme dhe në mbledhjen e radhës së Kuvendit Komunal do të paraqitet propozimi para asamblistëve të kësaj komune.
Vetë kryetari i kësaj komune, Burim Berisha e ka përkrahur këtë iniciativë të artistëve, pasi që do ta ringjallte jetën teatrore në qytet.
Ai i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se kjo çështje do të përfundojë brenda javës.
“Fushë Kosova e ka një traditë teatrore dhe ne si komunë po provojmë që ta themelojmë një teatër në bazë të ligjit të ri për teatrot. Do të mundohemi që t’u krijojmë artistëve disa kushte të favorshme. Kemi njerëz që janë profesionistë për atë punë dhe do të mundohemi që ta themelojnë atë dhe me qenë aktiv. Kuvendi Komunal do të mbahet më 9 nëntor dhe atë ditë do të shqyrtojmë këtë iniciativë”, është shprehur Berisha.
Grupi prej tre artistëve, Kastriot Saqipi, Brahim Basha dhe Basri Shala – Virusi ka dy vjet që e kanë iniciuar themelimin e Teatrit të Qytetit të Fushë-Kosovës dhe kërkesën drejtuar institucioneve komunale e kanë protokolluar qysh në fillim të muajit shtator të këtij viti.
Aktori Brahim Basha thotë se iniciativa e tyre ka ardhur si domosdoshmëri për të ringjallur jetën kulturore në qytetin e Fushë Kosovës dhe është mirë që ka marrë përkrahjen e duhur nga drejtuesit e institucioneve.
“Ne, një grup artistesh tash kemi përgjigje pozitive prej kryetarit të komunës Burim Berisha se janë krijuar mundësitë për realizimin e kësaj iniciative. Gjatë viteve të fundit kemi realizuar shfaqje teatrore me vetiniciativë dhe të përkrahur pjesërisht nga KK Fushë Kosovës. Ne kemi të përgatitur plan- programin e punës së teatrit për vitin 2019. Në qershor- korrik do të mbajmë edhe Festivalin e Teatrit në Fushë Kosovë”, ka thënë Basha.
Kurse regjisori Shkëlzen Sylejmani nga kjo komunë, ka thënë se vendimi për themelimin e teatrit është i duhur.
Ai thotë se në objektin e shtëpia së kulturës në Fushë Kosovë ka kapacitete të mjaftueshme për themelimin e një teatri.
“Jashtëzakonisht është një vendim i mirë dhe i nevojshëm për qytetarët e Fushë Kosovës. Aktualisht shtëpia e kulturës ka kapacitet e duhura për një teatër të tillë, sepse e njoh mirë këtë qendër kulturore pasi kam zhvilluar shumë aktivitete aty. Është mirë që kryetari ka përkrahur iniciativën që ka të bëjë me kulturën. Pra e kemi pasur mbështetjen e nevojshme”, ka thënë Sylejmani.
Edhe aktori Ylber Bardhi e mirëpret iniciativën për themelimin e Teatrit të Qytetit të Fushë-Kosovës. Ai thotë se ky qytet ka mjaftueshëm aktorë profesionist për të realizuar vepra të mëdha.
Madje ai shton se me kapacitetet që ka teatri i kësaj komune mund të jetë konkurrent me teatrot nga komunat e tjera.
“Unë sa i njoh kolegët e mi, ka shumë aktorë profesionist që vijnë nga Fushë Kosova dhe mendoj që shumë aktorë do të inkuadroheshin në këtë teatër dhe kishte me pas një konkurrencë me teatrot e tjera. Këta aktorë kanë etje për skenën dhe sa më shpejt që bëhet teatri do të kishte me qenë mirë”, ëstë shprehur Bardhi për FaktePlus.
Ndërkaq i pyetur për iniciativën e themelimit Teatrit të Qytetit të Fushë-Kosovës, aktori Burim Koprani i cili është nga kjo komunë, nuk ka pasur informacione të detajuara për këtë gjë.
Ai thotë se teatri është i nevojshëm, por që sipas tij nuk do të duhej të kishte grupacione në këtë drejtim.
“I duhet një teatër patjetër Fushë Kosovës, problemi është se unë nuk kam informata mbi iniciativën”, ka thënë Koprani.
Ndryshe shumë komuna në nivel republike kanë nisur iniciativa që të themelojnë teatrot e qyteteve të tyre. Komuna e Fushë Kosovës aktualisht numëron mbi 40 mijë banorë dhe së shpejti do të ketë teatrin e saj./FaktePlus