Informatë për qytetarët e Kosovës rreth komunikimit të rezultateve të testimeve për Covid-19
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike thonë se dëshirojnë t’u rikujtojnë qytetarëve se pas marrjes së mostrave të dyshuara për SARS-COV-2, ata të cilët rezultojnë pozitiv në këtë virus, informohen menjëherë nga ekipet e IKSHPK-së, të cilët në të njëjtën kohë vihen në gjurmim edhe të kontakteve të rasteve të tjera në terren, të ndërlidhura me rastet që rezultojnë pozitive.
Ndërkohë, sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë personat të cilët nuk kontaktohen pas publikimit të rezultateve nënkuptohet që janë raste që kanë rezultuar negative në SARS-COV-2, përkatësisht në sëmundjen Covid-19 dhe të njëjtin informohen në një procedurë më të ngadalshme për shkak se ata janë më pak të rrezikuar.
Në këtë rast theksohet se IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve kontakton dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve, duke i obliguar për vetë-izolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë me Koronavirus janë infektuar gjithsej 985 persona, derisa numri i të shëruarve ka arritur në 736, ndërsa janë 29 persona që kanë vdekur si pasojë e Covid-19, shkruan FaktePlus.