Infermierja britanike refuzon akuzat e vrasjes së tetë bebeve dhe tentativën ndaj jetës së 10 të tjerave
Infermierja 31 vjeçare Lucy Letby, është deklaruar sot e pafajshme ndaj akuzave për vrasjen e tetë bebeve dhe tentativën e vrasjes së 10 të tjerave, teksa punonte në repartin e maternitetit të Chester në veri të Britanisë.
Prokuroria e akuzon atë për vrasjen e pesë bebeve meshkuj dhe tre bebeve femra, si dhe se ka tentuar të vrasë dhe pesë bebe meshkuj e pesë bebe femra gjatë të njëjtëës periudhë.
Letby u deklarua ‘e pafajshme’ ndaj të 18 akuzave, të cilat u deshën gati katër minuta të lexoheshin.
E akuzuara u shfaq me lidhje video në gjykatën e Manchester nga paraburgimi në Peterborough.
Një urdhër gjykate ndalon publikimin e identiteteve të viktimave që besohet se ka vrarë Letby dhe të të mbijetuarve të sulmeve, si dhe identifikimin e prindërve apo dëshmitarëve të çështjes së rëndë, raporton TCH.
Letby nga Hereford u paraqit me një bluzë ngjyrë blu dhe flokët e kapur bisht, teksa seanca kryesisht administrative lexoi akuzat dhe mori deklarimin e të akuzarës.
Seanca e ardhme e gjyqit është caktuar në janar.
Pas shtimit te pakuptueshem te numrit te vdekjeve te te porsalindurve, ne majin e vitit 2017 policia e Chester nisi një hetim duke u fokusuar fillimisht te vdekjet e 15 foshnjeve në periudhën qershor 2015-korrik 2016.
Më pas hetimi u zgjerua dhe i çoi detektivët drejt infermieres që u prangos në 2018-ën. Ajo u lirua me kusht por pak kohë më vonë u arrestua përsëri.
Infermierja, që kishte për detyrë të kujdesej për të porsalindurit kishte punuar që studente në këtë njësi përpara se të merrte kualifikimin e nevojshëm në Universitetin e Chesterit në vitin 2011