Infermieri amerikan del pozitiv në test tetë ditë pasi e mori vaksinën anti-covid
Një infermier 45 vjeç nga Kalifornia e Shteteve të Bashkuara ka dalë pozitiv në testin për Covid-19 mbi një javë pasi e mori vaksinën e kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech”.
Infermieri më 18 dhjetor njoftoi përmes një postimi në Facebook se e ka marrë vaksinën e miratuar për përdorim, të zhvilluar nga kompania amerikane “Pfizer” dhe kompania gjermane “BioNTech”. Ai i tha një televizioni që dorën e ka pasur të pezmatuar për një ditë, por më pas s’ka përjetuar efekte tjera anësore.
Gjashtë ditë më vonë, në Natën e Krishtlindjeve, ai u sëmur pasi punoi në një ndërrim në repartin për Covid-19. Ai më vonë përjetoi dhimbje të muskujve dhe plogështi, shkruan Reuters,
Ai shkoi në një qendër mobile të testimit dhe doli pozitiv në testin për Covid-19 një ditë pas Krishtlindjeve, thuhet në raport.
Christian Ramers, specialist i sëmundjeve ngjitëse në Qendrën e Shëndetit Familjar në San Diego, tha se ky skenar nuk ka qenë i papritur.
“E dimë nga testimi i vaksinës se do të nevojiten 10 deri në 14 ditë që vaksina ta fillojë krijimin e mbrojtjes. Mendojmë se doza e parë ju ofron 50 për qind mbrojtje dhe keni nevojë për dozën e dytë që mbrojtja të arrijë deri në 95 për qind”, shtoi ai.