Infermierët kosovarë, të pamposhtur karshi virusit
Pavarësisht se janë lajmëruar rastet e para me Covit 19 edhe tek stafi infermieror, këta të fundit, nuk po mposhten për të dhënë kontributin e tyre në shërbim të pacientëve.
Ata do të kenë mbështetjen e vazhdueshme të Odës së Infermierëve.
Komunikata e plotë:
Infermierët kosovarë po dëshmojnë profesionalizëm e përkushtim në punë, pavarësisht se mes komunitetit infermieror, tashmë kemi rastet e para të të prekurve me koronavirus. Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK), përmes një njoftimi, konsideron se angazhimi i pa shoq i infermierëve, në këto ditë kur kemi lajmet për prekjen me COVID 19 edhe të stafit infermieror, i bën udhëheqësit e OIK shumë më obligues ndaj gjithë infermierëve të cilët pavarësisht rrezikut direkt që iu kanoset, janë në krye të detyrës.
“Kjo dëshmon, se infemierët kosovarë sikurse edhe punonjësit tjerë shëndetësorë, po vazhdojnë të qëndrojnë dhe të mos dorëzohen. Kjo betejë, po i bën ata edhe më të fuqishëm, më të disiplinuar dhe më të denjë në sfidën karshi pandemisë globale”, thuhet në njoftimin e Odës së Infermierëve të Kosovës, drejtuar publikut.
Në OIK, thonë se do të jetë vazhdimisht në krah të gjithë infermierëve që kanë nevojë, dhe njëkohësisht apelojnë për respektim të masave të propozuara. “Kërkojmë nga institucionet që në asnjë moment, stafi infermieror dhe ai shëndetësor të mos lihet pa mjetet dhe pajisjet e domosdoshme mbrojtëse të punës”, thuhet në njoftim.
OIK njëkohësisht, infermierëve të prekur nga COVID 19, iu dëshiron shërim të shpejtë dhe apelon tek qytetarët që të evitojnë daljet e pa nevojshme.
“Duke qëndruar në shtëpi, Ju bëheni aleati ynë, në luftimin e sëmundjes”, thuhet në njoftimin e Odës së Infermierëve.