Infektologu Ramadani tregon kur arrin kulmin koronavirusi dhe a ka Kosova mjaftueshëm mjekë
Ani pse infrastruktura shëndetësore nuk është në nivel kënaqshëm, Kosova po vazhdon të luftojë me pandeminë, e cila erdhi për shkak të përhapjes së koronavirusit në gjithë botën. Deri tani duket se sëmundja Covid-19 po përballohet në mënyrën më të mirë të mundshme nga stafi i mjekësisë së QKUK-së, konkretisht nga Spitali i Sëmundjeve infektive (ngjitëse).
Në një intervistë për FaktePlus ish- drejtori i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani ka thënë se Kosova ka infektologë të mjaftueshëm dhe të përgatitur për të përballur me situatën e tashme.
“Për momentin situata është mirë e menaxhuar dhe nën kontroll. Bazuar në të dhënat që kemi, unë mendoj që situata në vendin tonë është e kontrolluar dhe mundet edhe më tutje të jetë nën kontroll për faktin se Klinika Infektive deri sa unë e kam menaxhuar ka pas 120 shtretër dhe tani po punohet mirë”, ka thënë ai.
Në lidhje me numrin e infektologëve, Ramadani ka thënë se në raste krize Kosova mund të shfrytëzojë edhe spitalet e qyteteve të saj, pasi ekzistojnë reparte infektologjike të shfrytëzueshme.
“Në krejt vendin tonë ekzistojnë reparte infektologjike me mjekë shumë mirë të përgatitur, p.sh Spitali i Gjilanit ka mjaftueshëm mjekë Infektologë dhe shtretër të mjaftueshëm e diku 15 dhoma. Spitali i Prizrenit që është mirë i përgatitur me kuadro të specializanteve, Spitali i Pejës ka infektologë me përvojë, si dhe Spitali i Gjakovës, Mitrovicës dhe Ferizajt. Me këtë kapacitet, me këtë shtrirje të infektologëve situata duhet të tejkalohet pa vështirësi”, është shprehur ai.
Ramadani për FaktePlus ka deklaruar se Kosova nuk ka nevojë për mjekë jashtë vendit, por problem sipas tij po dalin të jenë gjërat elementare.
“Nuk ka nevojë çdo person me Covid-19 me u shtri në spital, por duhet të behët monitorim. Ne e kemi kapacitetin e mjekëve në nivel të Kosovës që nëse nuk eskalon gjendja e të sëmurëve është i mjaftueshëm dhe nuk mendoj të kërkohen mjekë nga jashtë, por problemi më i madh qëndron tek materialet, si mantile, dorëza e të tjera”, pohoi ai.
Ish- drejtori ka komentuar edhe punën që po e kryen ministri në detyrë i shëndetësisë, Arben Vitia.
“Ministri i Shëndetësisë me kapacitetin e vet e ka bërë punën me përgjegjësi. Ai ka punuar punën në mënyrën më të mirë të mundshme, po punon me ekipin e vet, mendoj që është në nivel të detyrës”.
Ramadani tutje shtoi se Kosova tani ka fazën e ngritjes së kësaj pandemie, por që pritet të përfundoj brenda dy jave.
“Unë mendoj se në 10 ditët apo 14 ditët në vijim do të shihet si do të ecën trendi nëse ky numër i të prekurve nuk rritet brenda këtyre ditëve ne do të kalojmë situatën më së miri. Tani jemi në fazën e ngritjes së kulmit në nivel të kësaj pandemie globale. Nëse nuk rritet numri ne e kalojmë sëmundjen, ne kemi edhe terapi për këtë sëmundje e cila është shumë e thjeshtë dhe jepet shumë lehtë pa efekte anësore”.
Tutje, ish drejtori nuk la pa përmendur as ndërrimin e stafit të ShSKUK-së që është shkarkuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti më 28 mars të këtij viti.
Ai për FaktePlus tha se aty janë bërë vetëm lëvizje, por qëndron i njëjti staf.
Kujtojmë se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë dje ka njoftuar për disa raste të reja me koronavirus dhe tashmë numri i të infektuarave me koronavirus në Kosovë ka arritur në 112.
E deri më 31 mars në Kosovë është shënuar vetëm një vdekje nga koronavirusi.
Ndërsa sipas njoftimit të IKSHP-së, deri dje janë gjashtë raste që kanë qenë me koronavirus dhe janë shëruar./FaktePlus