Infektologu Ramadani: Mosinteresimi për vaksinim rritë mundësinë për një valë të re të COVID-19 në Kosovë
Me rënien e rasteve pozitive me COVID-19, ka rënë edhe interesimi për vaksinim kundër këtij virusi.
Por, këtë interesim të ulët për vaksinim eksperti i kësaj fushe po e sheh si një mundësi për një valë të re të coronavirusit.
Infektologu Hamdi Ramadani ka paralajmëruar rritje të rasteve me këtë virus.
“Rënia e rasteve në këto momente duhet shikuar në shumë aspekte, së pari shumë qytetarë kanë rënë në kontakt me COVID dhe kanë krijuar imunitet mbrojtës, së dyti një numër po ashtu I madh qytetarësh kanë marr vaksinën dhe janë imunizuar me dozën e dytë e disa edhe dozë përforcuese, kujdesi i qytetarëve tani është ngritur ndaj virusit, por e keqja është që ende nuk është bërë vaksinimi më i madh në popullatë se nuk ka shumë interesim, kjo mund të paraqet një rritje të lartë të rasteve në javët vijuese”, potencoi Ramadani për Front Online.
Sipas Ramadanit, masat që janë në fuqi nuk duhet të ndryshohen deri sa të imunizohet 70 % e popullsisë.
“Virusi COVID do të jetë I pranishëm dhe se duhet të shkohet në vaksinimin dhe imunizim në çdo vite ashtu si për gripa, largimi I masave nuk duhet të ndodh duhet ti kemi ende në fuqi deri të arrihet imunizimi mbi 70% më së paku dy doza e të vaksinës anti-COVID dhe po ashtu maskat të përdoren në vende të mbyllura”, u shpreh Ramadani.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.825.885 doza të vaksinës.