Infektologu kosovar tregon gjendjen e të prekurve me koronavirus
Në klinikën infektive të QKUK-së, po trajtohen 13 persona të infektuar me virusin Covid-19, nga 20 raste sa janë konfirmuar deri tash.
Infektologu kosovar, Shemsedin Dreshaj, thotë se Kosova është në fillim të epidemisë, duke qenë kështu pjesë e bishtit të pandemisë botërore.
“Për të tjerët të cilët nuk janë brenda klinikës, ata konsiderohen persona stabil, persona të kontaktit të cilat janë të konfirmuar dhe të cilët nuk kanë prezantim klinik të rëndë që kërkon trajtim”, tha Dreshaj.
Dreshaj, thotë se Kosova ka shfrytëzuar përvojat e mira të parandalimit të kësaj sëmundje të cilat i kanë përdorur vendet tjera më herë kur janë prekur nga pandemia Covid-19.
Dreshaj flet edhe për mundësinë e rritjes së numrit të personave të prekur me koronavirus. Madje, bën një krahasim me vendet tjera që janë prekur nga koronavirusi.
“Realisht bazuar në ecurinë e cila ka ndodhur në vendet tjera e kanë regjistruar paraprak këtë sëmundje në vend, mund të them se ne mund të presim një skenar por që nuk do të jetë ndonjë prej skenarëve të këqinjë ngjashëm me Italinë apo ngjashëm me Kinën, por do të jetë ndonjë skenar shumë më i butë sepse ne kemi marr shumëçka prej masave parandaluese të përhapjes së infeksionit para se infeksioni të vije në vendin tonë”, theksoi Dreshaj, per insajderin.
Gjatë kësaj kohe kur tashmë në Kosovë janë 20 persona të infektuar me koronavirus, qytetarët kanë nisur t’i bëjnë testet për ta hequr çdo dyshim se janë prekur nga koronavirusi.
Por, infektologu Dreshaj thekson se fluksi i qytetarëve është aktualisht i përballueshëm, ani se ka një rritje të kërkesave për teste.
“Mendoj që ka fluks, por realisht nuk është ndonjë fluks i madh dhe i papërballueshëm tek ne, kjo është si rezultat i punës së mirë që po bëhet si nga stafi i Qendrës Klinike, si nga Instituti Kombëtar, si dhe nga Ministria e Shëndetësisë në drejtim të menaxhimit të stresit i cili mund të paraqitet në popullatë”, thotë ai.
Ai shton se në 24 orët e fundit kanë qenë 24 persona që kanë kryer testet për koronavirus.
“Realisht gjatë kujdestarisë së mbrëmshme kemi pasur një numër të konsideruar që kemi pranuar, të gjithëve u është marrë mostra, janë testuar dhe mostrat që kanë rezultuar si negative pa prani të virusit. Historitë e tyre janë mbyllur, pra 24 sot janë mbyllur dhe janë lëshuar në shtëpi të cilëve u rekomanduar qoftë në rast të mostrës pozitive pa simptome qoftë në rast të rezultatit të mostrës negative prapë pa simptome që të rrinë në një karantinë shtëpiake, vetizolim në një interval prej 14 ditëve”, ka theksuar ai.
Duke parë thirrjet e institucioneve për qytetarët që të qëndrojnë sa më shumë në shtëpitë e tyre, Dreshaj thotë se kjo po respektohet, përjashtuar ditën e martë kur ishte vërshuar Gërmia nga qytetarët sikur të ishte 1 maji./FaktePlus