Infektologu italian: Koronavirusi është dobësuar, mund të zhduket vetvetiu
Sipas profesorit Matteo Bassetti, shkalla e ashpërsisë së koronavirusit ka ndryshuar dhe se tani pacientët po mbijetojnë nga infeksionet që më herët do të ishin vdekjeprurëse për ta.
Mjeku italian po pretendon se virusi mund të zhduket pa vaksinë, nëse dobësimi i tij tashmë ka filluar, shkruan “Daily Mail”.
Ai ka thënë disa herë muajve të fundit se pacientët me Covid-19 duket se po ia dalin shumë më mirë tani sesa në fillim të pandemisë në Itali.
“Ishte si një tigër agresiv në mars dhe në prill, por tani është si një mace e egër. Edhe pacientët e moshuar, 80 apo 90 vjeç, tash po qëndrojnë të ulur në shtretër dhe po marrin frymë pa asistencë. Të njëjtit pacientë do të kishin vdekur dy apo tre muaj më parë”, tha shefi i sektorit për sëmundje ngjitëse në spitalin e përgjithshëm “San Martino” të Gjenovës.
Bassetti mendon se kjo mund të ketë ndodhur për shkak të një mutacioni gjenetik, që e ka bërë virusin më pak vdekjeprurës, për shkak të trajtimit të përmirësuar ose për shkak se njerëzit nuk po infektohen me sasi të madhe të virusit falë distancimit social.
Megjithatë, shkencëtarët e tjerë i kanë kundërshtuar këto pretendime në të kaluarën dhe kanë thënë se nuk ka dëshmi shkencore që virusi ka ndryshuar.
Italia është një ndër vendet më të prekura nga koronavirusi në Evropë dhe në botë. Deri më tani, në këtë shtet janë regjistruar rreth 34,000 të vdekur dhe 238,000 raste të infektimeve.